Kryetari i parlamentit të Kosovës ndërpret seancën për të mos lejuar pjesëmarrjen e deputeteve serbë

  • VOA

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu të enjten seancën për të pamundësuar pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë, që u shfaqën në sallë pas një mungese të gjatë.

Kryetari Konjufca akuzoi nëntë ligjvënës të Listës Serbe, partisë së themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, për provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm "një herë në gjashtë muaj". Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje reaguan po ashtu ndaj paraqitjes së ligjvënësve serbë.

Lista Serbe mban nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për pakicën kombëtare serbe në parlamentin e Kosovës. Që nga fundi i 2022 ata janë tërhequr nga pjesëmarrja në seancat parlamentare si pjesë e vendimit të punonjësve serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me veprimet e qeverisë në veriun e vendit. Megjithatë deputetët serbë paraqiten çdo gjashtë muaj në parlament për të hedhur nënshkrimet e tyre për të mos i humbur mandatet.

Është më të vërtetë e patolerueshme në Kuvendin e Kosovës këso sjellje. Njëherë në gjashtë muaj vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës vetëm për me i keqpërdorur paratë e taksapaguesve, në anën tjetër e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që e keni dhe shkoni e i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, (Milan) Radojiçiçit dhe keni guxim dhe vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë dhe kërkoj ta lironi Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha zoti Konjufca.

Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit 2023 në veri të Kosovës në të cilën u vra një pjesëtar i policisë.

Deri më tani, deputetët e Listës Serbe kanë nënshkruar pa pengesa dhe veprimi i sotëm ka të ngjarë të shtojë tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara të Kosovës me Serbinë fqinje.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se reagimi i kryetarit Konjufca dhe deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje “është pjesë e fushatës zgjedhore, duke marr parasysh që unë para një viti kam bërë kërkesën për moslejimin e deputetëve sa për të ardhur për t’u nënshkruar dhe me paratë e taksapaguesve, qytetarëve tanë, ta dëmtojnë Republikën e Kosovës. Në atë kohë, deputetët e LVV janë tall me propozimin tim, ndërsa sot isha e befasuar me reagimin e tyre”.

Ndonëse thekson se Lista Serbe është kategori kushtetuese, zonja Musliu mendoj se duhet gjetur një zgjidhje “që kjo qasje të ndërpritet një herë e përgjithmonë, sepse është e pakuptimtë që të paguhen deputetët e Listës Serbe dhe kjo është kundër çdo vlere demokratike, kundër çdo zhvillimi demokratik, që të paguhen me paratë e taksapaguesve dhe të dalin e të punojnë kundër Republikës së Kosovës”.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, i tha Zërit të Amerikës se “asnjë deputet nuk ka të drejtë t’ia ndalojë një deputeti tjetër të hyjë në sallë. Asnjë deputet nuk i nënshtrohet asnjë lloj detyrimi. Mendoj se tërheqja e vërejtjes publike do të ishte e arsyeshme nga kryetari i Kuvendit dhe normalisht mund të merren edhe masa tjera nëpërmjet kryesisë, ndëshkime individuale ose ndëshkime për të gjithë deputetët që nuk marrin pjesë në seanca të shikohet dhe për të ndryshuar ligjet se çfarë mund të bëhet, por jo duke pamundësuar fizikisht që të hyjnë në sallë”.

Reagon Beogradi

Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç, shkroi se veprimi i sotëm në parlamentin e Kosovës është një veprim i lëvizjes Vetëvendosje që sipas tij synon të bllokojë pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë në seancë dhe “me forcë t'ua marrin mandatet".

Ai u bëri thirrje diplomatëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj kësaj ngjarjeje dhe të "sigurojnë mbrojtjen e proceseve demokratike dhe të drejtave të pakicave”.

Ndërsa, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se veprimi i sotëm tregon se Lista Serbe “është pengesë” për kryeministrin Albin Kurti “meqë ajo mbron interesat e popullit serb”.

Populli serb ua ka dhënë vendet dhe legjitimitetin dhe Kurti nuk mund t'ua heqë mandatet apo t'ua ndalojë pjesëmarrjen”, theksoi ai.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shtuan javën e kaluar pas një shpërthimi në veriun e Kosovës, që dëmtoi kanalin e ujësjellësit nga liqeni Ujmanit.

Kosova fajësoi Serbinë se qëndron pas shpërthimit, ndërsa Beogradi mohoi akuzat.