Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të mërkurën se ka njoftuar udhëheqësit e Bashkimit Evropian me dëshmitë për lidhjet e Serbisë në sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të vendit.
Këto komente u bënë të ditura përmes një komunikate të presidencës së Kosovës pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa të mërkurën në Bruksel, një ditë pasi zoti Costa takoi udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në komunikatë thuhet se “presidentja Osmani prezantoi para presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës”.
Sipas komunikatës, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për hetimin e siç thuhet “aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë”.
Lexoni edhe këtë Kryediplomatja e re e BE-së diskuton me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin dhe tensionet mes tyreNdërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti diskutoi për këtë çështje me ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien në Bruksel.
Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se sulmi i 29 nëntorit “përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit”.
Sipas qeverisë, kryeministrit Kurti ka ngritur gjatë bisedës edhe rëndësinë e arrestimit dhe dorëzimit të Milan Radoiçiçit, i cili sipas zyrtarëve të Kosovës vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit. Milan Radoiçiç mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në veri të Kosovës, gjatë të cilit u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës.
Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas shpërthimit të 29 nëntorit në kanalin e ujësjellësit në veri duke e cilësuar atë një sulm terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian.
Autoritetet në Kosovë dyshojnë se prapa sulmit mund të jenë pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila vitin e kaluar së bashku grupin “Brigada e Veriut” u shpallën si organizata terroriste nga qeveria e Kosovës. Zyrtarët në Kosovë thonë se këto organizata mbështeten dhe financohen nga Beogradi zyrtar.
Serbia ka mohuar përfshirjen në sulmin e së premtes ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të kryer hetime të përbashkëta me institucionet ndërkombëtare në Kosovë.
Sulmi u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, që bënë thirrje për hetim të kujdesshëm dhe të thellë si dhe shprehën përkushtimin për të mbështetur Kosovën për ndriçimin e rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Autoritetet e drejtësisë në Kosovë thanë se pas sulmit kanë ndaluar 11 persona të dyshuar prej të cilëve dy veta mbeten në paraburgim, nën dyshimet për përfshirje në kryerjen e veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje.
Liqeni i Ujmanit që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi. Ai ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe të disa komunave të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.