Presidenti i Koresë së Jugut heq gjendjen e jashtëzakonshme

South Korean President Yoon Suk Yeol announces lifting of martial law

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha herët të mërkurën se qeveria e tij ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme, që ai e shpalli një natë më parë, pasi parlamenti votoi kundër këtij veprimi.

Presidenti Yoon tha se qeveria e tij ka tërhequr personelin ushtarak që ishte dislokuar më parë në disa ndërtesa qeveritare dhe pas një takimi në orët e para të mëngjesit, kabineti i tij qeveritar hoqi zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme.

Zoti Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke u zotuar se do të eliminonte forcat "anti-shtetërore" ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit, duke e akuzuar atë për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.

Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut, Woo Won Shik pas votimit e shpalli "të pavlefshëm" vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe theksoi se ligjvënësit "do të mbrojnë demokracinë bashkë me popullin".

Presidenti Yoon kishte thënë më herët se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua se do të çrrënjosë "forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut" dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.

Agjencia e lajmeve Yonhap citoi ushtrinë të thoshte se aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndaloheshin dhe se mediat dhe botuesit e tyre do të ishin nën kontrollin e komandës së ligjit ushtarak.

Zoti Yoon nuk përmendi ndonjë kërcënim konkret nga Koreja e Veriut që ka armë bërthamore, duke u përqendruar tek kundërshtarët e tij politikë të brendshëm.

Forcat ushtarake u panë duke hyrë në parlamentin e Koresë së Veriut pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa punonjësit e parlamentit përpiqeshin të zmbrapsnin ushtarët duke i spërkatur me bombolat për shuarjen e zjarrit.

Ishte hera e parë që nga viti 1980 që shpallej ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.

Paraardhësi i zotit Yoon, Moon Jae-in i Partisë Demokratike, tha në një postim në rrjetin X se demokracia e vendit është në krizë.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Kurt Campbell tha të martën se Shtetet e Bashkuara po i ndiqnin zhvillimet në Korenë e Jugut, një vend aleat, me “shqetësim të thellë” dhe se shpresojnë që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit.

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Koresë së Jugut dhe po monitorojnë situatën nga afër, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t'u mbrojtur kundër Phenianit.