Trump bisedon me Presidenten e Meksikës mbi çështjen e migracionit në kufi

Presidenti i zgjedhur Donald Trump pretendoi se shënoi një fitore në ndalimin e migracionit të paligjshëm nga Meksika, pas bisedës që zhvilloi me Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum. Presidentja e Meksisë sugjeroi se vendi i saj po bën atë që i takon dhe nuk ka interes që të mbyllë kufijtë e saj.

Presidenti i zgjedhur maerikan dhe Presidentja meksikane biseduan të mërkurën, disa ditë pasi zoti Trump paralajmëroi se do të vendosë tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj Kanadasë dhe Meksikës si pjesë e përpjekjeve të tij për të ndaluar migracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

Zoti Trump tha se Presidentja Sheinbaum “kishte rënë dakord” të ndalonte valën e migrantëve që kalojnë përmes Meksikës. Ndërkohë, zonja Sheinbaum u shpreh përmes një postimi në rrjetiet sociale se i kishte thënë zotit Trump se Meksika tashmë “po e trajton karvanin me migrantë” ndërsa e cilësoi si “të shkëlqyer” bisedën me Presidentin e zgjedhur amerikan.

Sipas agjencisë amerikane që trajton çështjet e emigracionit dhe ruajtjen e kufirit, kalimi i emigrantëve të paligjshëm nga kufiri me Meksikën ka rënë pjesërisht për shkak se administrata e Presidentit Biden nxiti një bashkëpunim më intensiv nga Meksika. Zoti Trump duket se po ia atribuon vetes këtë arritje.

Prurjet në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës kanë rënë 40% nga niveli më i lartë i të gjitha kohërave. Zyrtarët amerikanë thonë se kjo është arritje kryesisht falë punës së organeve ligjzbatuese të Meksikës të cilët kanë kontrolluar transportin hekurudhor dhe kanë ngritur postblloqe nëpër autostrada.

Të nxitur nga trysnia amerikane për të bllokuar prurjet e emigrantëve që udhëtojnë drejt veriut për t’u futur në Shtetet e Bashkuara, autoritetet meksikane gjatë viteve të fundit i kanë ndaluar këto prurje në të gjithë vendin dhe i kanë dërguar emigrantët në pjesën jugore të Meksikës. Ekspertët thonë se kjo manovër e shtetit meksikan synon t’i detyrojë emigrantët që të heqin dorë nga përpjekjet për t’u futur në Shtetet e Bashkuara.