Opozita bllokon akset kryesore në Tiranë, përplasje me policinë

  • Armand Mero

Gjatë protestës së opozitës në Tiranë

Në Shqipëri, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, organizoi pasditen e të martës, protestën e radhës në Tiranë për të kërkuar një qeveri teknike që të çojë vendin në zgjedhjet e reja parlamentare si dhe lirimin e kryetarit demokrat Sali Berisha, në arrest shtëpie që prej dhjetorit të vitit të shkuar.

Të drejtuar nga grupime deputetësh, mbështetës të opozitës, bllokuan që prej orës 17.00, pesë akse kyçe të kryeqytetit. Protesta nisi që në fillim me tensione në disa prej udhëkryqeve të bllokuara, pasi policia u përpoq t’i largonte manifestuesit nga rruga për të mbajtur të lirë lëvizjen e automjeteve.

Përplasjet fizike me forcat e shumta të policisë, të pajisura me skafandra dhe mburoja, ishin të herë pas hershme, duke përfshirë dhe deputetët e opozitës. Policia në mënyrë të përsëritur kërkoi largimin e protestuesve nga rruga, duke paralajmëruar se pengimi i qarkullimit të mjeteve përbën vepër penale. Thirrje që pasoheshin më tej me ndërhyrjet për t’i shpërndarë protetestuesit.

Në zonën para Bashkisë së kryeqytetit, policia përdori makinat ujëhedhëse. E njejta skenë u përsërit dhe te sheshi Uillson, ku më parë u hodh dhe gazlotsjellës, për të larguar protestuesit që kishin rrethuar një automjet të policisë.

Deputetët e opozitës folën për një përdorim të pajustifikuar të forcës nga ana e njësive policore dhe ndërhyrje joproporcionale të saj, duke kujtuar se ata kishin marrë leje për zhvillimin e protestës. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, tha se dhe në rastet kur është protestuar përpara kryeministrisë, bulevardi është bllokuar për qarkullimin e mjeteve dhe i takonte policisë që të merrte masa për të siguruar rrugët për lëvizjen alternative të makinave.

Po ashtu, prej disa muaj, protestat e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës, kanë qenë thuajse të përjavshme, në orare problematike për trafikun dhe me situata tensionesh të larta ku janë përdorur molotovë e janë djegur goma makinash, por asnjëherë policia nuk ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve dhe as të përdorë ujëhedhësat apo gazin lotsjellës.

Pas përfundimit të protestës, deputetë të opozitës kanë deklaruar se mbështetës të tyre janë shoqëruar në komisariate. Deri në mbrëmje vonë, nga policia nuk pati ndonjë njoftim dhe as ndonjë reagim për akuzat ndaj saj, për përdorim jo proporcional të forcës.