Fermerët amerikanë kundër dëbimit të emigrantëve të paligjshëm që punojnë në bujqësi

Punonjësit duke punuar në një fermë në Calexico, të Kalifornisë.

UASHINGTON – Organizatat e fermerëve amerikanë po i bëjnë thirrje Presidentit të zgjedhur Donald Trump që mos përfshijë në dëbimet masive, emigrantët që punojnë në sektorin e tyre. Ato thonë se dëbimi i tyre mund ta dëmtojë zinxhirin e furnizimit me ushqime, i cili mbështetet shumë tek emigrantët që janë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.

Deri tani, zyrtarët e ekipit të Presidentit të zgjedhur Trump nuk janë zotuar për ndonjë përjashtim, sipas intervistave me organizatat e fermerëve dhe punëtorëve, si dhe drejtuesin e ardhshëm kombëtar për emigracionin, Tom Homan.

Gati gjysma e rreth 2 milionë punëtorëve në fermat amerikane nuk kanë status të ligjshëm, sipas të dhënave të departamenteve të Punës dhe Bujqësisë, si dhe shumë punëtorë të sektorëve të bulmetit dhe paketimit të mishit.

Presidenti i zgjedhur republikan Donald Trump është zotuar të dëbojë miliona emigrantë që gjenden ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e fushatës së tij për rizgjedhjen. Kritikët thonë se kjo do të ishte një ndërmarrje sfiduese logjistike, që mund të ndajë familjet dhe të prishë bizneset amerikane.

Zoti Homan ka thënë se strukturat e zbatimit të ligjeve për emigracionin do të përqendrohen tek kriminelët dhe personat për të cilët janë lëshuar urdhra përfundimtarë dëbimi, por se nuk do të përjashtohet asnjë emigrant që gjendet ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Ai i tha kanalit televiziv Fox News më 11 nëntor se zbatimi i ligjeve në bizneset "do të duhej të ndodhte", por nuk ka thënë nëse do të vendoset në objektiv sektori i bujqësisë.

"Kemi shumë për të bërë", tha zoti Homan në një intervistë telefonike këtë muaj.

Tom Homan

Largimi masiv i punëtorëve të fermave do të trondiste zinxhirin e furnizimit me ushqime dhe do të rriste çmimet e ushqimeve për konsumatorët, tha David Ortega, profesor i ekonomisë dhe politikave ushqimore në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

"Ata plotësojnë role kritike që shumë punëtorë të lindur në Shtetet e Bashkuara nuk munden apo nuk duan t'i kryejnë", tha zoti Ortega.

Organizatat e fermerëve dhe aleatët e Partisë Republikane ndjehen të inkurajuar nga fakti që administrata e ardhshme e ka vënë theksin tek kriminelët.

Dave Puglia, president i organizatës “Western Growers”, që përfaqëson fermerët, tha se grupi e mbështeti këtë qasje dhe ishte i shqetësuar për efektet në sektorin e fermave, nga një plan i mundshëm dëbimi për të punësuarit në bujqësi.

Zëdhënësja e ekipit të tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Trump, Karoline Leavitt nuk iu përgjigj drejtpërdrejt shqetësimeve të fermerëve në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters. Ajo tha se votuesit amerikanë duan që Presidenti i zgjedhur Trump "të zbatojë premtimet që bëri gjatë fushatës, si deportimin e emigrantëve kriminelë".

Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi të shtunën se do të emërojë në postin e Sekretares së Bujqësisë zonjën Brooke Rollins, e cila kryesoi Këshillin e Politikave të Brendshme të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij të parë.

Bujqësia dhe industritë e lidhura me të kontribuan 1.5 trilionë dollarë për produktin e brendshëm bruto të Shteteve të Bashkuara, ose 5.6%, në vitin 2023, sipas Departamentit amerikan të Bujqësisë.

Në administratën e tij të parë, zoti Trump i premtoi sektorit të fermave se planet e tij për deportime nuk do të kishin në objektiv punëtorët e sektorit ushqimor, megjithëse administrata bëri kontrolle në disa objekte bujqësore, përfshirë në fabrikat e përpunimit të mishit të shpezëve në Misisipi dhe në Nebraska.

Ligjvënësi republikan John Duarte, nga një familje fermerësh prej katër brezash në Luginën Qendrore të Kalifornisë, tha se fermat në zonë varen nga emigrantët e paligjshëm dhe se qytezat amerikane do të dëmtoheshin nëse këta punëtorë do të dëboheshin.

John Duarte

Vendi i ligjvënësit Duartes në Kongres është një nga garat e pakta të afërta zgjedhore për të cilat ende nuk është shpallur fituesi.

Zoti Duarte tha se administrata e Presidentit të ardhshëm Trump duhet të zotohet se punëtorët emigrantë që gjenden në vend për mbi pesë vite dhe që nuk kanë precedentë penalë, nuk do të bëhen objektiv i deportimeve dhe se do t’iu ofrohet një mundësi drejt përfitimit të statusit të përhershëm ligjor.

“Do të doja të dëgjoja të shprehej më qartë se këto familje nuk do të jenë në objektiv”, tha ai.

"Kemi nevojë për siguri"

Fermerët kanë një mundësi ligjore për punësimin e fuqisë punëtore me programin e vizave H-2A, i cili u mundëson punëdhënësve të sjellin një numër të pakufizuar punëtorësh sezonalë, nëse mund të tregojnë se nuk ka mjaftueshëm punëtorë amerikanë të gatshëm, të kualifikuar dhe të disponueshëm për të bërë punën.

Programi është rritur me kalimin e kohës, me 378,000 pozicione H-2A të certifikuara nga Departamenti i Punës në vitin 2023, tre herë më shumë se në vitin 2014, sipas të dhënave të agjencisë.

Por kjo shifër është vetëm rreth 20% e fermerëve të vendit, sipas Departamentit amerikan të Bujqësisë. Shumë fermerë thonë se nuk mund të përballojnë pagesat për vizat dhe strehimin. Të tjerë fermerë kanë nevoja për punë gjatë gjithë vitit, që nuk mbulohen nga vizat sezonale.

Fermerët dhe punëtorët do të përfitonin nga lehtësimi i legjislacionit për punëtorët e bujqësisë, tha John Walt Boatright, drejtues në Federatën Amerikane të Byrosë së Fermave, një organizatë lobiste për fermerët.

"Kemi nevojë për sigurinë, besueshmërinë dhe përballueshmërinë e programeve për fuqinë punëtore që do të na lejojnë të vazhdojmë t’i dërgojmë ushqimet nga ferma në tavolinë", tha John Hollay, drejtues në Shoqatën Ndërkombëtare të Produkteve të Freskëta.

Për dekada, organizatat e fermerëve dhe punëtorëve janë përpjekur të nxisin miratimin e reformave të emigracionit, që do të mundësonin qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të më shumë punëtorëve të bujqësisë, por propozimet ligjore kanë dështuar deri më tani.

Rreziku i zbatimit të ligjeve të emigracionit në ferma ka të ngjarë të jetë i ulët për shkak të nevojës për punëtorë, tha Leon Fresco, avokat për emigracionin në firmën ligjore Holland & Knight.

"Ka disa interesa biznesi shumë të rëndësishme që padyshim e dëshirojnë krahun e punës në bujqësi dhe kanë nevojë për të", tha ai.

Por për punonjësit e fermave, frika nga zbatimi i ligjeve për emigracionin mund të krijojë stres kronik, tha Mary Jo Dudley, drejtore e Programit të Punëtorëve të Fermës Cornell, që po i përgatit punëtorët të njohin të drejtat e tyre, nëse përballen me zyrtarët e emigracionit.

Nëse bëhen sërish operacione kontrolli në fabrikat e paketimit të mishit, strukturat e zbatimit të ligjeve për emigracionin duhet të marrin masa paraprake për të shmangur ndalimin e punëtorëve që gjenden në mënyrë të ligjshme në vend, tha Marc Perrone, president ndërkombëtar i sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve të Ushqimit dhe Tregtisë, që përfaqëson punëtorë të industrisë së paketimit të mishit.

Edgar Franks, një ish-punëtor ferme dhe drejtor politik në ‘Familias Unidas por la Justicia’, një sindikatë punëtorësh në shtetin e Uashingtonit, tha se organizata po vërente energji të re nga punëtorët për t'u organizuar.

"Ankthi dhe frika janë reale. Por nëse jemi bashkë, ka një shans më të mirë për ne që të kundërshtojmë", tha ai.