Zyrtarët izraelitë: Marrëveshja për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, “brenda ditësh”

Sulmet ajrore izraelite në Dahijeh, në Bejrut, të hënën më 25 nëntor, 2024/AP

Ambasadori izraelit në Uashington tha sot se një marrëveshje armëpushimi, që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban mund të arrihet “brenda ditësh”. Ambasadori Mike Herzog tha se kanë mbetur ende “disa pika për t’u finalizuar”. Deklarata e tij vjen ndërkohë që Izraeli dhe Hezbollahu kanë intensifikuar sulmet.

Your browser doesn’t support HTML5

Zyrtarët izraelitë: Marrëveshja për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, “brenda ditësh”

Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen sulme të ashpra ndaj njëri-tjetrit gjatë fundjavës. Izraeli sulmoi periferitë jugore të Bejrutit pas sulmeve me 250 raketa të Hezbollahut në pjesët veriore e qendrore të Izraelit.

Sulmet me intensitet të shtuar po ndodhin në një kohë kur trysnia ndërkombëtare është shtuar për arritjen e një marrëveshje armëpushimi që do t’i jepte fund luftës dhe do t’i largonte Izraelin dhe Hezbollahun nga pjesa jugore e Libanit.

Ambasadori i Izraelit në Uashington, Mike Herzog i tha Radios së Ushtrisë të hënën se palët janë “afër një marrëveshjeje” dhe se ajo mund “të arrihet brenda ditësh”.

Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i Kryeministrit Benjamin Netanyahu do të takohet të martën për të diskutuar mbi propozimin për armëpushimin, sipas agjencisë Associated Press.

Zyrtarët thanë se palët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje që do të përfshinte tërheqjen e forcave izraelite nga pjesa jugore e Libanit dhe tërheqjen e militantëve të Hezbollahut nga kufiri me Izraelin. Por sipas tyre, kanë mbetur disa pika për të cilat nuk kanë rënë dakord palët.

Në Bejrut, katër burime të larta libaneze i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se “ekziston një plan sipas të cilit (Presidenti amerikan) Joe Biden dhe (Presidenti francez) Emmanuel Macron do ta shpallin marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit brenda 36 orëve”.

Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet që qeveria amerikane ka patur rreth armëpushimit janë pozitive dhe se është shënuar përparim drejt një marrëveshjeje.

“Jemi afër”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Diskutimet… ishin konstruktive dhe besojmë që trajektorja e tyre po shkon drejt një drejtimi pozitiv. Por asgjë nuk mund të shpallet ende si e përfunduar”.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell gjatë vizitës në Bejrut po ashtu tha se marrëveshja ishte afër.

“Duhet t’i bëjmë trysni qeverisë izraelite dhe Hezbollahut që të pajtohen me propozimin amerikan për armëpushim. Ka marrëveshje. Ky propozim po pret miratimin final të qeverisë izraelite”, deklaroi ai.

Shpresat për arritjen e një marrëveshjeje erdhën pas vizitës së javës së kaluar nga ndërmjetësi amerikan Amos Hochstein. Sipas propozimit, fillimisht palët do të angazhohen për një armëpushim dy mujor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen nga Libani, ndërsa Hezbollahu do të largojë forcat e tij të armatosura përgjatë kufirit jugor.

Sipas propozimit, tërheqja reciproke të trupave të armatosura do të pasohet nga vendosja e mijëra ushtarëve libanezë për të vëzhguar këtë kufi krahas forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, që vepron atje.

Në mesin e çështjeve që ende po negociohen janë kërkesa e Izraelit për të rezervuar të drejtën që të veprojë nëse Hezbollahu shkel detyrimet e përcaktuara në marrëveshje.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon u tha gazetarëve të hënën se marrëveshja “nuk është finalizuar por po bëjmë përparim”.

Sipas tij, për Izraelin është e rëndësishme që militantët e Hezbollahut të largohen në drejtim të veriut, përtej lumit të Litanit dhe të mos t’u lejohet të kthehen.

Ai theksoi se Izraeli ka mësuar nga përvoja e të kaluarës me Rezolutën e OKB-së 1071, që i dha fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut të vitit 2006. Rezoluta bëri thirrje për dislokimin e ushtrisë libaneze përgjatë pjesës jugore dhe çarmatosjen e grupeve të armatosura, përfshirë Hezbollahun, por ajo kurrë nuk u zbatua.

I pyetur nëse Izraeli dëshiron të gëzojë të drejtën që të kthehet në Liban për të sulmuar Hezbollahun nëse kthehet në pjesën jugore, të cilën qeveria libaneze e ka kundërshtuar menjëherë, ambasadori Danon u përgjigj: “Do të sigurohemi që të kemi mundësinë që të neutralizojmë çdo kërcënim që nuk eliminohet në Libanin jugor, por nëse ata dështojnë sërish, ne do të jemi aty.”

Në propozimin e armëpushimit, ambasadori Danon tha se “ka faza të ndryshme, disa kushte”.

Ai tha se misioni i forcave paqeruajtëse të OKB-së, i njohur si UNIFIL, nuk është pjesë e marrëveshjes, por ai e quajti praninë e këtij misioni “të rëndësishëm”.

Ndërkohë në një intervistë për televizionin amerikan Fox, Mike Waltz, i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e tij të ardhshme, duke kritikuar tërthorazi administratën e tanishme, tha se zoti Trump do të synojë arritjen e “marrëveshjeve paqësore” në Lindjen e Mesme të ngjashme me Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat u negociuan në mes Izraelit dhe shteteve arabe.

“Vetëm para katër vitesh patëm marrëveshje paqësore në Lindjen e Mesme që u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë. Shikoni ku jemi sot. Jam i bindur se Presidenti Trump, aftësitë e tij udhëheqëse dhe ekipi që ai po përzgjedh, do të na kthejnë në atë pikë shumë shpejt”, deklaroi ai.

Propozimi aktual për armëpushim parasheh edhe themelimin e një komisioni ndërkombëtar për të vëzhguar zbatimin e marrëveshjes dhe rezolutat paraprake të OKB-së.

Në këtë komision pritet të jetë e pranishme edhe Franca, përkundër kundërshtimeve të Izraelit pas mbështetjes që zyrtarët francezë i dhanë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhërarrestin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.