Fermerët në Kenia po përdorin inteligjencën artificiale për t'i ndihmuar ata të kenë rendiment më të lartë të të korrave. Një aplikacion i fuqizuar me inteligjencë artificiale - i quajtur ‘Agronomi Virtual’ – ndërvepron drejtpërdrejt me fermerët për t'i ndihmuar ata për siguruar të korra më të mira, në cilësi dhe sasi. Korrepondenti i Zërit të Amerikës Mohammed Yusuf njofton nga rezervati natyror i Mwea-s në Kenia.
Your browser doesn’t support HTML5
Aplikacioni i quajtur ‘Agronomi Virtual’ përdor një ‘chatbot’, një lloj programi kompjuterik që komunikon drejtpërdrejt me fermerët përmes aplikacionit të mesazheve ‘WhatsApp’.
Duke përdorur informacionin satelitor, mjeti mbledh dhe analizon të dhëna për të ndihmuar Gichobin të mësojë llojin dhe sasinë e duhur të plehut kimik të nevojshëm, që do t’i shërbenin atij për të maksimizuar rendimentin.
“Kjo teknologji më ka ndihmuar të njoh llojin e lëndëve ushqyese në tokë dhe gjithashtu më ka ndihmuar të njoh llojin e plehut që duhet hedhur. Para përdorimit të kësaj teknologjie, mblidhja më pak se 20 thasë, por me përdorimin e saj siguroj 26 thasë a më shumë”, thotë ai.
Gichobi hedh në program foto të fermës së tij. Në këmbim ‘Agronomi Virtual’ dërgon imazhe satelitore të tokës së tij dhe rekomandime se si të sigurojë rendiment e cilësi më të lartë.
Në një kohë kur fermerët përballen me ndikimin e ndryshimeve klimatike, aplikacioni ofron gjithashtu këshilla për llojin dhe sasinë më të mirë të plehut kimik që duhen përdorur për të luftuar mikroorganizmat e dëmshëm si dhe sëmundjet, në parcelat e fermerëve.
Fermeri Nicholas Kinyua thotë se aplikacioni i pajisur me inteligjencë artificiale e ka ndihmuar atë të rrisë sasinë e orizit që siguron, nga 20 në 26 thasë këtë sezon.
"Tashmë përdor më pak kimikate krahasuar me kohën kur mbillja me metoda tradicionale. Kjo teknologji më ka ndihmuar të siguroj më shumë oriz’, thotë ai.
Judy Gakuya thotë se ka kursyer para, duke përdorur ‘Agronomin Virtual’ dhe pret një rendiment më të madh të orizit në javët e ardhshme.
"Besoj se do të siguroj një sasi më të madhe orizi krahasuar me të shkuarën. Kam përdorur shumë plehra kimikë më parë, gjë që më ka kushtuar shumë, e më shqetësonte. Por tani ndihem shumë e lumtur kur vij në fermën time. Më pëlqen të kaloj kohë këtu. Vetëm kur i shoh prodhimet e mia, zemra më mbushet me gëzim"
Organizata "Zgjidhjet novatore për bujqësinë" ndihmon në trajnimin e fermerëve se si ta përdorin aplikacionin.
Përfaqësues të saj thotë se mbi 30,000 fermerë në Afrikë, gjysma e tyre në Kenia, po përdorin ‘Agronomin Virtual’. Zyrtarët thonë se aplikacioni ka të dhëna për tokën për të gjithë kontinentin dhe ndihmon fermerët të mbjellin dhe të menaxhojnë kultura të tilla si misri, kafeja dhe çaji.
"Sistemi siguron informacion rreth asaj se çfarë bën fermeri më i mire, në mënyrë që një fermeri tjetër, t'i jepet një rekomandim që e e sjell atë në të njëjtin nivel. Ne duam të shmangim hendekun që krijohet. Sepse nëse fermerët vijnë nga i njëjti lokalitet, dhe njëri siguron 30 thasë dhe tjetri 20, ne duam të japim rekomandime që e sjellin një fermer tek niveli i më të mirit”, thotë ai.
Patrick Wanyaka thotë se do të duhet pak kohë për të bindur shumë fermerë se përdorimi i një sasie më të madhe plehrash kimikë, jo domosdoshmërisht nënkupton rendiment të lartë e cilësi të korrash.