Rriten shpresat e kolonëve izraelitë për aneksimin e Bregut Perëndimor

Kedumim West Bank

Kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor e kanë mirëpritur fitoren e republikanit Donald Trump dhe zgjedhjen nga ana e tij ish-Guvernatorit të Arkansasit Mike Huckabee për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Izrael. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, ata shpresojnë të aneksojnë Bregun Perëndimor dhe madje të ndërtojnë vendbanime në Rripin e Gazës.

Your browser doesn’t support HTML5

Rriten shpresat e kolonëve izraelitë për aneksimin e Bregut Perëndimor

Kedumim është një komunitet në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, i ndërtuar në mesin e viteve 1970. Daniella Weiss, një udhëheqëse në këtë komunitet dhe fëmijët e saj ishin ndër familjet e para hebreje që u vendosën këtu, duke jetuar në tenda, pa ujë.

Tani, ajo shpreson se Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të pranojë aneksimin e vendbanimeve të Bregut Perëndimor dhe të mos lejojë krijimin e një shteti palestinez.

“Nëse Presidenti amerikan thotë ‘unë do t'ju bëj një dhuratë. Unë do t'ju jap sovranitetin, por ju do të duhet të lini diçka mënjanë.' Unë them, jo, gjithçka është e jona. Arsyeja për këtë është sepse ky është premtimi i Zotit për Abrahamin”, thonë zonja Weiss.

Këtu jeton edhe ministri izraelit i financave, Bezalel Smotrich. Ai ka parashikuar se në vitin 2025, Izraeli do të aneksojë atë që njihet si Zona C ose 60 për qind e Bregut Perëndimor që përmban vendbanimet hebraike. Aty jetojnë mbi 500,000 kolonë. 2.5 milionë palestinezë jetojnë kryesisht në zonat A dhe B të Bregut Perëndimor, që janë nën kontrollin e pjesshëm ose të plotë të Autoritetit Palestinez.

Aneksimi izraelit i këtij territori u pa si synim i administratës së parë të Presidentit Trump pasi e njohu kontrollin izraelit mbi Lartësitë Golan. Kandidati i zotit Trump për ambasador në Izrael, Mike Huckabee, ka qenë prej kohësh përkrahës i vendosur i vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor. Ashtu si kolonët izraelitë, ai u referohet territoreve me emrin e tyre biblik, Judea dhe Samaria.

“Unë e njoh Judenë dhe Samarianë si pjesë të Izraelit. Unë besoj se është e rëndësishme të kuptojmë se ka më shumë hebrenj që jetojnë në Judea dhe Samaria sesa ç’mendohet dhe se këto shifra janë domethënëse. Është një pjesë e rëndësishme e sigurisë së Izraelit”, thotë zoti Huckabee.

Disa analistë, përfshirë ata që jetojnë në Bregun Perëndimor, thonë se Izraeli duhet të jetë i kujdesshëm për aneksimin e tokave në mënyrë të njëanshme.

“Nëse me të vërtetë mendohet se sovraniteti është diçka që mund ta bëjë Izraelin vërtet të sigurt dhe unë pajtohem me këtë qëndrim, kjo duhet bërë në mënyrë të zgjuar dhe në bashkëpunim me administratën amerikane”, thotë Hodaya Karish Hazony, korrespondente e gazetës së linjës së ashpër, ‘Makor Rishon’.

Kolonët e tjerë shqetësohen se vendimi për të aneksuar një pjesë të Bregut Perëndimor mund të shkaktojë trazira të mëtejshme.

“Unë personalisht e mbështes aneksimin, por thjesht nuk dua që ai të ndajë shoqërinë përsëri. Këtu tashmë ka një prani të fortë të kolonëve, por e majta është kundër. Ndarja mes nesh na dobëson”, thotë Hanan Moses profesor i shkencave politike në Universitetin e Herzogut.

Disa udhëheqës të kolonëve, përfshirë Daniella Weissin, duan të shkojnë përtej aneksimit të Bregut Perëndimor. Ata thonë se tashmë po përgatiten të rindërtojnë vendbanimet hebraike në Rripin e Gazës për hebrenjtë që u evakuuan në vitin 2005.