Në Tiranë, diplomatë të BE-së i bënë thirrje autoriteteve që të rritin dhe forcojnë njësitë e integrimit europian pranë secilës bashki të vendit. Pothuaj gjithë bashkitë e Shqipërisë kanë çelur tashmë një zyrë për integrimin europian. Ekspertët pohuan se mbi 70 për qind e ligjeve dhe politikave të BE-së zbatohen nga pushteti vendor, ndaj ky proces i bën bashkitë mjaft të rëndësishme për integrimit europian të vendit.
Your browser doesn’t support HTML5
BE e ka mbështetur rrugëtimin e bashkive të Shqipërisë drejt integrimit europian, duke përgatitur mbi 2 mijë e 200 punonjësve bashkiakë në fusha si menaxhim projekti, komunikim dhe politika të BE-së në përputhje me standartet europiane.
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasador Silvio Gonzato, tha se bashkitë janë ura ndërlidhëse midis BE-së dhe qytetarëve shqiptarë, ndaj ato duhet të bashkëpunojnë si midis tyre ashtu edhe me bashki të vendeve të BE-së, duke forcuar qeverisjen vendore si dhe rrjetin mes tyre.
“Një sfidë më vete është që përvoja e krijuar me kohën, duhet rritur dhe përmirësuar. Është me rëndësi kyçe qëndrueshmëria e punonjësve nëpër bashki; duhen shmangur situatat ku ndryshimi në udhëheqjen e bashkisë sjell ndryshim tërësor të personelit në njësinë e bashkisë për BE-në. Ata janë persona me ekspertizë teknike, e cila i tejkalon qëndrimet politike. Edhe përzgjedhja e tyre duhet bërë bazuar në meritat dhe aftësitë e tyre”, tha ambasadori Gonzato.
Ambasadori Gonzato i bëri këto komente në një konferencë mbi rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian.
Analistë të pavarur besojnë se reforma administrative territoriale solli një përqëndrim të burimeve njerëzore, të investimeve, financave dhe shpenzimeve, por objektivat fillestare të saj nuk janë përmbushur megjithë zmadhimin e njësive bashkiake.
Drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimihali, thotë për Zërin e Amerikës se edhe sot 10 vjet pasi u ndryshua harta administrative problemet që diskutohen janë të njëjta si ato me hartën e vjetër të pushtetit vendor.
“Janë prej më shumë se 10 vjetësh të njëjtat çështje që diskutohen; varësia e bashkive nga qeveria, zhbalancimet mes zonave urbane dhe atyre rurale, shpenzimet e rritura në raport me investimet, mbrojtja sociale e pamjaftueshme ndaj shtresave në nevojë dhe shërbimet e dobëta publike. Asgjë nga këto nuk ka marrë ndonjë zgjidhje me ndryshimin e hartës administrative”, thotë zoti Haxhimihali.
Ai thekson se në pushtetin vendor ende vazhdon dilema nëse reforma e pushtetit vendor është në rrugën e duhur me ndryshimet ligjore dhe ato territoriale, sepse bashkitë ende kanë pengesa dhe sfida sa i takon pavarësisë, ekonomisë, sigurisë, shërbimeve vendore.
Kryenegociatorja për Integrimin Evropian, Majlinda Dhuka, tha se administrata vendore ka sot kapacitete profesionale dhe rol më të madh në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Afro 70 për qind e politikave europiane, rregullave të standartit europian zbatohen në nivel vendor, ndaj roli i pushtetit vendor është i pazëvendësueshëm. Në mbi 15 fusha bashkitë kanë kontribut në çështjet europiane”, tha zonja Dhuka.
Pjesa dërrmuese e kuadrit ligjor europian kalon nga pushteti vendor u theksua në konferencë, duke nisur nga zhvillimi ekonomik vendor, rritja e bizneseve shqiptare me lidhja e tyre me biznese europiane dhe me tregun e përbashkët europian, bujqësia, agro-industria, zhvillimi rural, turizmi, ndaj të gjitha janë të lidhura drejtpërdrejt me punën e bashkive.
“Një element i rëndësishëm, që për fat të keq sot është shumë dobët, është ndërveprimi mes bashkisë, biznesve, shoqatave dhe institucioneve arsimore në nivel vendor. Fondet mund të hapen vetëm nëse ne kemi bashkëpunime të mira në nivel vendor, një bashkëpunim që duhet të ndodhë sot”, tha ministri i shtetit për pushtetin vendor, Arbjan Mazniku.
Aktualisht 59 nga 61 bashki të Shqipërisë kanë çelur një zyrë të integrimit europian për të standartet e kërkuara. Ekspertët vlerësojnë se pushteti vendor nevojitet të trajtojë kërkesat konkrete të qytetarëve për të prodhuar rezultate të prekshme në dobi të tyre, sepse kështu do të bëhen përherë e më shumë europiane për nga kriteret në prosecin e integrimit europian të vendit.