FMN: Ekonomia shqiptare rritje pozitive, por ka sfida të konsiderueshme përpara

  • VOA

Drejtuesja e Misionit të FMN-së, Anke Weber

Në Shqipëri, në përfundim të bisedimeve me autoritetet përgjatë 10 ditëve të fundit, misioni i Fondit Monetar ndërkombëtar, vlerësoi pozitivisht ecurinë e ekonomisë shqiptare. Sipas drejtueses së misionit Anke Weber “ecuria është rikthyer e fortë, e mbështetur nga politika të kujdesshme makroekonomike. Prodhimi tani është shumë më i lartë se tendenca e tij para pandemisë falë një sektori turistik në lulëzim. Politikat e kujdesshme fiskale kontribuan në një reduktim të dukshëm të borxhit publik, ndërkohë që politika monetare proaktive, rënia e çmimeve globale të mallrave dhe mbiçmimi i lekut kanë lehtësuar disinflacionin”, deklaroi zonja Weber.

Fondi Monetar parashikon “një rritje reale të PBB-së prej 3.6 për qind në Shqipëri këtë vit, ndër më të lartat në Evropë. Rritja në periudhën afatmesme pritet të mbetet e qëndrueshme, në rreth 3½ për qind, ndërkohë që rreziqet ndaj perspektivës janë gjerësisht të balancuara”.

Misioni vlerësoi rritjen e prodhimit dhe uljen e borxhit publik. Megjithatë, sipas Fondit Monetar “pavarësisht nga tabloja optimiste makroekonomike, ka sfida të konsiderueshme strukturore”, duke vënë në dukje faktin se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri, është vetëm sa rreth një e katërta e niveleve të BE, ndërkohë që vendi është prekur nga plakja e shpejtë dhe migrimi. Po ashtu, vlerësohet se “pavarësisht përparimit të konsiderueshëm, mangësitë në qeverisje përbëjnë pengesa për mjedisin e biznesit”.

Sa i takon sistemit financiar, misioni i FMN-së vëren se "rreziqet sistematike duken gjerësisht të përmbajtura, ka disa xhepa cenueshmërie, duke përfshirë rritjen e shpejtë të kreditimit për sektorin e pasurive të paluajtshme".

Sipas misionit të FMN-së “tani është koha e duhur për të avancuar më tej në reformat e fokusuara në rritjen e produktivitetit duke nxitur integrimin në zinxhirët globalë të vlerës, duke hequr barrierat ndaj rritjes së fortë, si stimujt e taksave shtrembëruese, duke rritur aksesin në financa dhe duke përmirësuar arsimin dhe trajnimin”. Fondi Monetar vlerëson se “vazhdimësia e investimeve në infrastrukture, krahas reformave të qeverisjes janë prioritetet kryesore” ndërsa vë në dukje se “zbatimi me sukses i kësaj axhende të thellë reformash do të siguronte që Shqipëria të jetë gati për të konkurruar në tregun e përbashkët, kur të anëtarësohet përfundimisht në BE”.