Ukraina thotë se Rusia kreu një sulm me një raketë ndërkontinentale - për herë të parë në luftë

Ilustrim

Ukraina thotë se Rusia hodhi një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës duke shënjestëruar qytetin Dnipro, gjë që nëse konfirmohet, do të ishte hera e parë që Moska përdor një raketë të tillë në luftë.

Në një deklaratë të publikuar të enjten në aplikacionin e mesazheve Telegram, forcat ajrore të Ukrainës nuk saktësuan llojin e raketës, por thanë se ajo ishte lëshuar nga rajoni rus Astrakhan, i cili kufizohet me Detin Kaspik.

Në deklaratë thuhet se një raketë balistike ndërkontinentale u hodh në qytetin Dnipro së bashku me tetë raketa të tjera dhe se ushtria ukrainase rrëzoi gjashtë prej tyre.

Sipas zyrtarëve lokalë, dy persona u plagosën si pasojë e sulmit dhe një objekt industrial dhe një qendër rehabilitimi për personat me aftësi të kufizuara u dëmtuan.

Ndonëse fusha e veprimit të një rakete balistike ndërkontinentale e bën të duket e tepërt për t'u përdorur kundër Ukrainës, raketa të tilla janë të dizajnuara për të mbajtur koka bërthamore dhe përdorimi i njërës do të shërbente si një kujtesë rrëqethëse e aftësisë bërthamore të Rusisë dhe një mesazh i fuqishëm i përshkallëzimit të mundshëm.

Njoftimi për një sulm me një raketë të tillë u bë dy ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një doktrinë të rishikuar bërthamore që ul zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. Ukraina të martën hodhi disa raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi dhe thuhet se ka hedhur të mërkurën raketa britanike në Rusi.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të enjten se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan dy raketa të prodhimit britanik "Storm Shadow", gjashtë raketa HIMARS dhe 67 dronë. Njoftimi është pjesë e përmbledhjes së përditshme të ministrisë në lidhje me veprimet ushtarake në Ukrainë.

Deklarata nuk tha se kur ose ku saktësisht ndodhi sulmi ose çfarë synonin raketat. Ky nuk është njoftimi i parë publik i Moskës për rrëzimin e raketave Storm Shadow, pasi Rusia raportoi më herët se kishte rrëzuar disa mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Zhvillimet e raportuara ndodhin në një kohë kur lufta ka marrë një dimension ndërkombëtar në rritje me vendosjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushëbetejë, një zhvillim që zyrtarët amerikanë thanë se nxiti ndryshimin e politikës së presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi për të goditur objektiva në Rusi. Kremlini u përgjigj me kërcënime për përshkallëzim të konfliktit.

Presidenti Putin ka paralajmëruar më parë SHBA-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s se lejimi i Ukrainës të përdorë armët perëndimore me rreze më të gjatë veprimi për të goditur territorin rus, do të thotë se Rusia dhe NATO janë në luftë. Doktrina e tij e re lejon një përgjigje të mundshme bërthamore nga Moska edhe ndaj një sulmi konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb që mbështetet nga një fuqi bërthamore.