Osmani: Rrezikimi i aleancave cenon vet Kosovën

  • Leonat Shehu

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë”, tha ajo, në një referencë të qartë të mospajtimeve me qasjen e qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë kritikuar Prishtinën për mungesë bashkërendimi, posaçërisht në veprimet e saj në veriun e Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Osmani: Rrezikimi i aleancave cenon vet Kosovën

Presidentja Osmani gjatë fjalimit vjetor në Parlamentin e Kosovës, vuri theksin te ruajtja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës dhe procesi i bisedimeve me Serbinë.

“Rëndësia e ruajtjes së aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan që ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e shantazhim”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

“Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se çdo sfidë angazhohen që ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund të ja dalin të vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimi e emrave të tyre për të përfituar pushtet. Asnjëra dhe as tjetra nuk i bën nder Kosovës përkundrazi duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave, partneriteteve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha ndërkaq se dialogu me Serbinë i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ka qenë jo i baraspeshuar dhe me një trajtim të padrejtë të Kosovës.

“Fakti që në tavolinën e dialogut shteti që krijoi agresion ndaj Kosovës pra Serbia nuk është nën masa kurse viktima e këtij agresioni, pra Kosova është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj mungese balanci. Prandaj është e domosdoshme të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet në rajonin tonë. Por, kjo do të thotë se edhe ne të vetreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë gjërat edhe më mirë”, tha ajo.

Osmani: Shqiptarët në rajon ende po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut.

“Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc spastrimi etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave, shkelje kjo e konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian, Departamenti amerikan i Shtetit, tashmë ka marrë edhe vulën e gjykatave tërësisht të politizuara të Serbisë, të cilat po e mirëmbajnë diskriminimin. Fatkeqësisht reagimi ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve po mungon, përkundër shkeljeve”, tha ajo.

Presidentja Osmani ngriti siç tha edhe shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë sw Veriut për të drejtat e fituara me marrëveshjen e Ohrit. Ajo tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë kontibutdhënësit kryesorë në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit.

“Prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej. Në këtë drejtim, koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në veçanti për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë por mbi të gjitha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në gjithë rajonin dhe kudo tjetër që jetojnë ata është vendimtar për suksesin tonë dhe ecjen përpara drejt familjes euro-atlantike”, tha ajo.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimi e saj ngriti shqetësimin për dhunën ndaj grave. Ajo tha se forcimi i të gjitha strukturave e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të luftuar dhunën na baza gjinore është thelbësor.

“Është tragjike, e dhimbshme dhe tejet shqetësuese që edhe në vitin që po lëmw pas gra dhe vajza të shumta vazhduan të jenë viktima të dhunës në baza gjinore e nëë mesin e tyre disa përfunduan me fatalitet. Burrat po i vrasin gratë e dhuna ka gjetur strehë në shumë çati të vendit tonë”, tha ajo.

Fjalimi i presidentes Osmani, nuk u ndoq nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, të cilët thonë se presidentja është duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe se ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit.