Sekuestrohen dy vila të Kryemadhit dhe nënës së saj

  • VOA

Monika Kryemadhi në dalje nga Prokuroria e Posaçme

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi sot se Gjykata kishte pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestër të dy pasurive të paluajtshme të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj Fatime Kryemadhi. Bëhet fjalë për dy vila në një zonë residenciale të kryeqytetit, me një sipërfaqe prej mbi 40 metrash katrorë.

Vendimi nga Gjykata është marrë pak ditë më parë, më 15 nëntor, ndërsa sipas njoftimit është ekzekutuar gjatë ditës së djeshme dhe sot, “duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive”.

Zonja Kryemadhi është pjesë e një hetimi që përfshin dhe ish presidentin Ilir Meta, marrëdhëniet bashkëshortore me të cilin, prej disa mujash janë prishur, dhe palët janë në proces divorci.

Muajin e kaluar zoti Meta u arrestua, ndërsa ndaj zonjës Kryemadhi u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndaj të dyve rëndojnë dyshimet për kryerjen e të njëjtave vepra penale, që nga “korrupsioni” , te “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”, në disa raste në bashkëpunim me njëri tjetrin.

Si zonja Kryemadhi ashtu dhe zoti Meta, i kanë mohuar dyshimet e ngritura ndaj tyre dhe kanë akuzuar Prokurorinë e Posaçme se po vepron sipas një skenari me sfond politik. Ata kërkuan ndryshimin e masave të sigurisë, por një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit, i la ato në fuqi.