Ndërsa takimi për klimën në Azerbajxhan hyn në ditët përfundimtare, po rritet zhgënjimi nga mungesa e përparimit në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për financimin e projekteve kundër ndryshimit të klimës. Marrëveshja shihet si një hap vendimtar në pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme dhe kufizimin e ngrohjes globale.
Your browser doesn’t support HTML5
Çështjet financiare po dominojnë ditët e fundit të takimit mbi ndryshimet klimatike.
Kush do të paguajë që vendet më të varfra të përshtaten me ndryshimet klimatike dhe të heqin dorë nga karburantet fosile ndërsa ekonomitë e tyre rriten?
Delegati i Bolivisë Diego Balanza, i cili në këto negociata kryeson një grup të vendeve në zhvillim, akuzoi të martën vendet më të pasura për një dekadë premtimesh të parealizuara.
"Vendet tona po vuajnë pasojat e ndryshimeve klimatike kryesisht për shkak të çlirimit në nivele të larta historike të gazeve të dëmshme në vendet e zhvilluara", tha ai.
Takimi për klimën ka për qëllim të vendosë një objektiv të ri financiar. Vlerësimet për këtë çështje janë të ndryshme. Disa vende thonë se për këtë duhen 1.3 trilionë dollarë në vit, ndërsa objektivi aktual është 100 miliardë dollarë.
“Financat për klimën nuk janë bamirësi. Është 100 për qind në interesin e çdo vendi që të mbrojë ekonominë dhe njerëzit e vet nga pasojat e ndryshimeve klimatike”, thotë Simon Stiell, shef i OKB-së për çështjet e klimës.
Marrëveshja për financimin e nismës për frenimin e ndryshimeve klimatike ka për qëllim të zhbllokojë fazën e ardhshme të rëndësishme të negociatave, që do t’u hapte rrugën të gjitha vendeve të ofrojnë plane veprimi për pakësimin e çlirimit të gazeve serrë, me synimin për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
Në trajektoren aktuale, shkencëtarët thonë se bota po shkon drejt një ngrohjeje të mundshme katastrofike prej 2.7 gradësh.
Ekziston një shqetësim në rritje për mungesën e dukshme të përparimit në takimin për klimën. Mohamed Adow është drejtor i grupit “Power Shift Africa”.
“Ky ka qenë një nga takimet më joefektive, të paktën, një nga javët e para më joefektive të takimeve për klimën, që kam marrë pjesë në 15 vitet e fundit. Ka patur përparim shumë të kufizuar në çështjet financiare, ato mbi rregullat rreth tregjeve të karbonit dhe pakësimit të nivelit të çlirimit të gazeve të dëmshëm”, thotë ai.
Zoti Adow druhet se negociatat në Baku janë duke u lënë në hije.
“Kjo po ndodh për shkak të zgjedhjes së Donald Trumpit dhe veprimeve që mund të ndërmarrë administrata e tij. Bota e pasur në fakt po fshihet pas Trumpit dhe nuk dëshiron t'u përgjigjet thirrjeve të vendeve në zhvillim për 1.3 trilionë dollarë për financimin e projekteve mbi ndryshimet klimatike”, thotë ai.
Mukhtar Babayev, president i takimit të 29 për klimën, që po mbahet në Azerbajxhan, u ka bërë thirrje palëve që të lëvizin më shpejt, mes frikës në rritje se takimi mund të dështojë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje.