Përleshje midis policisë serbe dhe opozitës në Novi Sad rreth incidentit vdekjeprurës në stacionin hekurudhor

Përleshjet shpërthyen për të dytën ditë të mërkurën në qytetin verior serb të Novi Sadit midis policisë dhe protestuesve të opozitës, që kërkojnë arrestime lidhur me shembjen vdekjeprurëse të çatisë në stacionin hekurudhor të qytetit, në fillim të këtij muaji.

Protestuesit antiqeveritar provuan të bllokojnë një gjykatë në Novi Sad, ku shembja e çatisë në stacion më 1 nëntor la pas vetes 15 të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur. Policia largoi protestuesit nga ndërtesa.

Një veprim i ngjashëm i opozitës të martën çoi në një përplasje disaorëshe, një shenjë e tensioneve në rritje për shkak të ngjarjes së një nëntorit.

Ngjarja në Novi Sad ka shkaktuar një valë protestash kundër autoriteteve dhe arrestime të disa aktivistëve që morën pjesë në to. Shumëkush në Serbi beson se korrupsioni i shfrenuar ka çuar në punë të ngadalta rinovimi në stacion dhe si pasojë në shembjen e çatisë.

Lexoni edhe këtë Përleshje gjatë protestës për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, të mërkurën paralajmëroi protestuesit në një deklaratë se policia “nuk do të tolerojë prishjen e rendit it publik, kërcënimet ndaj sigurisë së vendit dhe institucioneve shtetërore, si dhe sulmet ndaj policisë”.

Një grup ligjvënësish të opozitës arritën të hyjnë në ndërtesën e gjykatës në Novi Sad të mërkurën, ndërsa policia largoi të tjerët që po qëndronin jashtë. Protestuesit po kërkojnë gjithashtu lirimin nga paraburgimi të veprimtarëve të burgosur gjatë protestave të fundit.

Çatia e madhe e jashtme prej betoni e ndërtesës së stacionit hekurudhor u rrëzua papritur më 1 nëntor. Fillimisht 14 persona humbën jetën dhe tre u plagosën rëndë, por njëri nga të plagosurit vdiq të dielën.

Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe ministri i ndërtimit i Serbisë, Goran Vesiç, dha dorëheqjen.

Lexoni edhe këtë Ministri serb i transportit jep dorëheqjen pas shembjes së çatisë që shkaktoi 14 viktima

Të mërkurën dorëheqje dha edhe Tomislav Momiroviç, ministër i Tregtisë, i cili nga vitit 2020 deri në vitin 2022 kishte shërbyer si ministër i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës. Dorëheqja e tij pasoi paralajmërimin e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç për dorëheqje të tjera.

Askush nuk është arrestuar dhe asnjë akuzë nuk është ngritur, megjithëse prokurorët thanë se dhjetëra njerëz janë marrë në pyetje si pjesë e hetimit.

Stacioni u ndërtua në vitin 1964 dhe u rinovua dy herë në vitet e fundit, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze të ndërtimit.

Ndërkohë, sot policia arrestoi dy aktivistë në Beograd, të cilët po protestonin kundër planeve për të rrënuar një urë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, që shërben për trafikun e tramvajit dhe makinave mbi lumin Sava, që shtrohet midis pjesëve të reja dhe të vjetra të qytetit.

Autoritetet planifikojnë të ndërtojnë një urë të re në vend të saj, një proces që do të zgjasë të paktën tre vjet. Veprimtarët e opozitës thonë se ura ekzistuese duhet të ruhet dhe se procesit të dhënies së kontratave për ndërtimin e urës së re i mungon transparenca.