Mesha solemne dhe riti i Lumnimit të dy martirëve të rinj të kishës katolike në Shqipëri dhe Kosovë, Don Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq, u mbajt sot në Katedralen e Shën Shtjefnit në qytetin e Shkodrës në prani të Ipeshkvijve të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Italisë si dhe një numri të madh të besimtarëve, brenda dhe jashtë katedrales.
Your browser doesn’t support HTML5
Riti i Lumnimit të Don Gazullit dhe Atë Paliq u kryesua nga i dërguari i posaçëm i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, Eminenca e Tij Kardinal Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve.
Arqipeshkvi Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra tha gjatë fjalës së tij se, Don Gjon Gazulli dhe At Luigj Paliq kanë dëshmuar me jetën e tyre se vazhdojnë t’i japin lavdi Hyut.
“Sot, nga Shqipëria e vogël, në mbarë kishën dhe para mbarë botës, Krishti është dëshmuar edhe një herë me forcën e martirizimit. Martirë të rinj të Lumë u bashkuan me 38 të Lumët e vitit 2016, ndërsa mbetet gjithnjë e hapur lista e burrave dhe grave që edhe sot, me jetën e tyre vazhdojnë t’i japin lavdi Hyut duke ushqyer fenë dhe guximin e popullit të krishterë”.
Lumnimi i martirëve Don Gjon Gazulli nga Shqipëria dhe At Luigj Paliq nga Kosova e çon në 40 numrin e martirëve të kishës, shpallur të Lumë nga Ati i Shenjtë. Tetë vite më parë, më 5 nëntor të vitit 2016, po në Shkodër, u shpallën të Lumë 38 martirët e parë të kishës në Shqipëri, të cilët i qëndruan përndjekjes nga regjimi komunist i kohës, duke u martirizuar në mbrojtje të besimit të tyre fetar.
Don Gjon Gazulli u lind në Dajç të Zadrimës në vitin 1893. Studioi në Itali, Francë dhe Austri dhe u shugurua meshtar në vitin 1919. Si kundërshtar i vendosur i qeverisë së Mbretit Zog, ai kundërshtoi qëndrimin që mbahej ndaj Dukagjinit, Pukës dhe Mirditës. Për këtë arrestohet dhe dënohet me varje në vitin 1926.
Ndërsa Atë Luigj Paliq u lind në Janjevë të Kosovës në vitin 1879. Studioi në Itali dhe u shugurua meshtar në vitin 1901. Shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës, të Gllogjanit si dhe në Gjakovë dhe Arqipeshkvinë e Shkodrës. U martirizua në Janosh, afër Gjakovës, në mars 1913, pasi nuk pranoi të bëhej prift ortodoks.
Gjatë ritit të Lumnimit, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra i kërkoi Prefektit të Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve Kardinal Marcello Semeraro që t’i përcjellë Papa Françeskut mirënjohjen për vlerësimin që ai i ka bërë martirëve të kishës dhe popullit shqiptar.
“ Duke falenderuar Hyun, i cili nëpërmjet martirëve tanë na dha shembullin e qëndrimit të fortë dhe deri në vdekje, ju lutem t’i paraqisni Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, mirënjohjen tonë për dhuratën që t’i numërojë ndër të Lumët shërbëtorin e Hyut, Luigj Paliq dhe shërbëtorin e Hyut, Gjon Gazullin”.