Shqipëri, goditet një rrjet ndërkombëtar i kokainës, 10 të arrestuar

  • VOA

Prokuroria e Posaçme

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsiont dhe Krimit të organizuar, njoftoi të shtunën se ka goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit kokainës nga vendet e Amerikës Latine, e cila vinte e papërpunuar në Shqipëri, ku i nënshtrohej proceseve kimike e bëhej gati për t’u shpërndarë në tregun vendas dhe atë të europian. Nën arrest kanë përfunduar 7 shtetas shqiptarë dhe tre të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian, si dhe në sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e lëndës narkotike.

Organizata e cila financohej nga anëtarët shqiptarë rezulton sipas hetimeve se bashkëpunonte ne organizata kriminale në Amerikën Latine. Kokaina mbërrinte në Shqipëri në formë të papërpunuar, duke përdorur “lëkurë gjedhi të kriposur”. Të paktën dy ngarkesa të mëdha ishin importuar në shtator dhe nëntor të këtij viti, sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme. Gjatë operacionit të shtrirë në disa qytete të vendit, është sekuestruar dhe një sasi prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike.

Tre shtetasit e huaj, kishin për detyrë të nxirrnin kokainën nga lëkurët e bagëtive. “Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, shpjegohet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal”, është shprehur prokurori Adnan Xholi. Në laboratorin e zbuluar në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, u gjetën dhe mbi 6 kilogram lëndë narkotike e dyshuar kokainë si dhe sasi të mëdha përzierësish dhe substancash kimike që përdoreshin në procesin e përpunimit të drogës.

Përveç laboratorit në Fushë Krujë, grupi kishte dhe dy baza të tjera në Tiranë dhe Durrës. Sipas Prokurorisë së posaçme përzgjedhja e zonave ku grupi ushtronte veprimtarinë e tij kryesore, nuk iste e rastësishme: “Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre vendndodhjeve, tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal”.

Prokuroria e Posaçme vë në dukje se “rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara”, thuhet në njoftimin zyrtare, ku theksohet se “shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal”.

Hetimet kanë nisur që vitin e kaluar dhe prokurorët shqiptarë kanë bashkëpunuar dhe me autoritetet e drejtësisë të vendeve të të tjera. Sipas drejtuesit të Prokurorisë së Posaçe, Altin Dumani “ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”.