Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar trupa në Rusi

  • VOA

Të arratisurit nga Koreja e Veriut thonë se Pheniani ka të ngjarë ta mbajë të fshehtë dislokimin e ushtarëve për të luftuar për interesat e Rusisë në Ukrainës duke mos ua treguar as vetë familjeve të ushtarëve. Por lajmi padyshim do të dale, duke shkaktuar ankth dhe dhimbje.

Zyrtarët perëndimorë të zbulimit vlerësojnë se rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen tashmë në Rusi, kryesisht në vendndodhje rreth rajonit Kursk, ku forcat ukrainase kanë kapur disa territore.

"Nënat koreano-veriore që dërguan fëmijët e tyre në Rusi duhet të ndiejnë dhimbje të paimagjinueshme", tha Kim Jeong-ah, një dezertore koreano-verior dhe ish-togere e parë në Ushtrinë Popullore të Koresë së Veriut, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

Kjo gjë të çmend e nuk ka mënyrë tjetër si mund ta shprehësh ndryshe këtë ndjenjë”, tha Kim, e cila është vetë nënë, e tashmë drejton një organizatë jofitimprurëse në Seul që mbështet të drejtat e grave në Korenë e Veriut. "Ata nuk mund të qajnë në shtëpitë e tyre aq sa do të donin, sepse do të dëgjoheshin jashtë”.

Kim, i cila u arratis nga Koreja e Veriut në vitin 2009, tha se "familjet e atyre ushtarëve të Koresë së Veriut në Rusi duhet të vuajnë pa qenë në gjendje të shprehin shqetësimet e tyre për shkak të presionit nga regjimi i Koresë së Veriut".

Besohet gjerësisht se regjimi i Kim Jong Un-it mobilizoi forcat speciale të tij elitare "Storm Corps" për të mbështetur Rusinë.

Lee Hyun Seung, një ish-ushtar në njësinë e korpusit “Storm” dhe një i arratisur që tashmë jeton në SHBA, i tha Zërit të Amerikës gjatë një telefonate të mërkurën se "regjimi i Koresë së Veriut nuk informon familjet për dislokimet jashtë vendit, vendndodhjet e njësive apo çështjet e sigurisë personale”, nga frika e zbulimit të sekreteve ushtarake.

Lee sugjeroi se lajmet për dislokimin ka të ngjarë të përhapen gojarisht mes banorëve dhe se "me siguri do të ketë kundërshtim të brendshëm ndaj kësaj shkeljeje të qartë të të drejtave të njeriut – siç është dislokimi i trupave pa njoftimin e familjeve".

Thashethemet do të përhapen shpejt dhe nëse familjet që nuk ishin në dijeni të dislokimit zbulojnë se djemtë e tyre janë sakrifikuar, kjo do të jetë një goditje e madhe për regjimin.

Në një bisedë të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Tae Young-ho, ish-diplomat i Koresë së Veriut që shërbeu në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut pas dezertimit të tij, tha se megjithëse Pheniani po e mban të fshehtë dislokimin, vdekjet e trupave të Koresë së Veriut do të jetë e vështirë të mbahen sekret.

Tae tha gjithashtu se Koreja e Veriut ka një shkallë shumë të ulët të lindjeve, me familjet që kanë vetëm një ose dy fëmijë, ndaj prindërit nuk do të jenë në gjendje të pranojnë faktin që fëmijët e tyre mund të vdesin duke mbrojtur Rusinë dhe jo vendin e tyre.