Forcat ruse marrin territor në Ukrainën lindore; i afrohen qytetit Kurakhove

  • VOA

Në një foto të publikuar nga ministria ruse e Mbrojtjes, forcat godasin me artileri ndaj njësive ukrainase në Kursk, Rusi (14 nëntor 2024)

Forcat ruse morën një zonë rurale në Ukrainën lindore të enjten dhe iu afruan qytetit Kurakhove.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ushtarët rusë morën nën kontroll fshatin Voznesenka, në rajonin Donetsk.

Përpara fillimit të luftës në vitin 2022, aty gjendeshin rreth 20 mijë banorë, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Autoritetet ruse njoftuan gjithashtu se dëmtuan pistat ajrore dhe objektet energjetike të Ukrainës, si dhe rrëzuan 78 dronë ukrainas, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.

Ushtria e Ukrainës njoftoi se rrëzoi 21 nga 59 dronët rusë të nisur në një sulm gjatë natës.

Luftimet pasuan një sulm masiv ajror në Kiev dhe në vende të tjera në Ukrainë në orët e para të së mërkurës, për të cilin u përdorën raketa balistike, raketa me vetëdrejtim dhe dhjetëra dronë.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se njësitë e saj rrëzuan katër raketa dhe 37 dronë të lëshuar nga Rusia mbi tetë rajone ukrainase.

“Është e rëndësishme që forcat tona të kenë mjetet për ta mbrojtur vendin nga terrori rus”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy pas sulmit.

Në fjalimin e tij të së mërkurës, presidenti ukrainas vlerësoi "luftëtarët e mbrojtjes ajrore" të vendit.

“Çdo natë, çdo ditë, ata rrëzojnë dronët dhe raketat ruse ‘Shahed’,” tha ai. "Këtë mëngjes, ata interceptuan raketat balistike ruse. Kjo është domethënëse. Suksese të tilla shpëtojnë jetët e njerëzve tanë".

Ukraina u ka bërë thirrje aleatëve që të dërgojnë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore për t'u mbrojtur nga sulmet ruse, dhe Presidenti Zelenskyy tha se vendi ishte mirënjohës "për të gjithë partnerët tanë që na ndihmojnë me sistemet kundër raketave dhe të mbrojtjes ajrore".

“Qëllimi strategjik është të arrijmë një nivel praktik bashkëpunimi me partnerët tanë, që do të na mundësojë të prodhojmë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, që na duhen këtu në Ukrainë”, tha ai.

Ai shtoi se Ukraina duhet "ta shtyjë më në fund Rusinë drejt arritjes së një paqeje të drejtë".