Hungarezët shkojnë për një jetë të re në Austri, për arsye ekonomike dhe politike

Ikja e profesionistëve drejt vendeve më të pasura të BE-së është një problem që hasin disa vende të Evropës Jugore dhe Qendrore, ndërsa qytetarët përfitojnë nga rregullat e lirisë së lëvizjes brenda bllokut. Kjo rrjedhje e fuqisë punëtore shkakton një problem tjetër për Evropën, ndërsa përpiqet të rimëkëmbet nga rënia ekonomike dhe përballet njëkohësisht me tkurrjen e popullsisë dhe produktivitetin e ulët. Shumë hungarezë largohen për në Austri, duke përmendur si arsye problemet ekonomike por edhe situatën politike.

Your browser doesn’t support HTML5

Hungarezët shkojnë për një jetë të re në Austri, për arsye ekonomike dhe politike


Në një periferi të kryeqytetit të Hungarisë, Budapest, 45-vjeçarja Eszter Czovek po paketonte muajin e kaluar për të shkuar në Austrinë fqinje për të filluar një jetë të re së bashku me të shoqin.

“Çështja e pensionit, gjendja ekonomike, rrjeti i sigurimeve shoqërore, shëndetësia, janë ndër arsyet kryesore që na bënë të marrim vendimin që të bëjmë një përpjekje për të jetuar jashtë vendit”, thotë ajo.

Arsye të tjera kanë të bëjnë me shqetësimet mbi drejtimin politik të Hungarisë dhe frikën se mund të shkëputet nga Bashkimi Evropian.

"Ne mendojmë se edhe nëse do të ketë një ndryshim (politik) këtu, do të duhen shumë vite për ndryshim të vërtetë. Hungarezët mund të jenë duke pritur për një mrekulli të madhe, por do të duhet shumë punë dhe durim. Pati një ndryshim regjimi në vitin 1989 dhe tridhjetë vjet më vonë ne ende po presim për ndonjë mrekulli që Hungaria të arrijë nivelin e Austrisë dhe vendeve të tjera, por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh”, thotë zonja Czovek.

Punëtorët në Austri fitojnë mesatarisht 40.9 euro në orë krahasuar me 12.8 euro në orë në Hungari, hendeku më i madh i pagave midis vendeve fqinje në BE.

Numri i hungarezëve që jetojnë në Austri u rrit në 107,264 në fillim të vitit 2024. Kur Hungaria iu bashkua BE-së në vitin 2004 ky numër ishte vetëm 14,151.

Bashkëshortit të zonjës Czovek, i cili punon në ndërtim, iu ofrua punë në Austri, ndërsa ajo ka punuar në media dhe kontabilitet në kompani të ndryshme ndërkombëtare.

Zonja Czovek sheh pak gjasa për t’u kthyer në të ardhmen në Hungari, duke mos parë ndonjë arsye bindëse për ta bërë një gjë të tillë.

"Problemi është se nga ata që largohen seriozisht, duke paketuar gjithçka dhe duke rifilluar një jetë tjetër jashtë vendit, janë shumë të paktë ata që do të kthehen. Njoh shumë familje me fëmijë që janë larguar”, thotë ajo.

Disa vende evropiane janë përpjekur ta frenojnë prirjen e qytetarëve për të shkuar në vende më të pasura të BE-së, por rezultatet nuk kanë qenë inkurajuese.