GSJP: Dhuna në familje shënon rritje në Kosovë – shumica prej viktimave gra

  • Leonat Shehu

Një raport i Grupit për Studime Juridike dhe Politike thekson se dhuna në familje në Kosovë ka shënuar rritje në krahasim me të kaluarën.

Në raportin me titull “Ballafaqimi me dhunën në familje në Kosovë: Trajtimi institucional ndaj dhunës në familje për periudhën Korrik 2023– Qershor 2024”, thuhet se gjatë kësaj periudhë janë regjistruar 2 mijë e 856 raste të dhunës në familje.

“Nga 2 mijë e 856 raste të raportuara, 79 për qind e viktimave janë gra ndërsa vetëm 21 për qind janë burra. Ndërsa nga 571 të arrestuar, 92.55 për qind janë burra ndërsa 7.5 për qind janë gra. Sa i përket personave të dyshuar kemi një vlerë prej 88 për qind të burrave dhe 12 për qind gra. Si konkludim i këtyre rezultateve përveç që kemi dhunë në familje, kemi edhe dhunë me bazë gjinore dhe me këtë mund të themi se reflektohet dominanca e sistemit patriarkal në shoqërinë e Kosovës”, tha Reneta Bajrami nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Your browser doesn’t support HTML5

Raporti: Dhuna në familje shënon rritje në Kosovë; shumica e viktimave gra

Sipas raportit, grupi më i madh i viktimave paraqitet mes moshës 30 – 40 vjeçare ndërsa numri më i madh i të arrestuarve është paraqitur në mes të grupmoshave 20 deri 40 vjeçare.

“757 raste përfshijnë marrëdhënie bashkëshortore si autorë të dhunës, 27 raste kemi raporte prind si autorë të dhunës në famlje ndërsa 46 raste dhunë mes vëllezërve dhe motrave”, tha Reneta Bajrami.

Në raport theksohet se rajonet e Pejës dhe Prishtinës mbeten vendet me numrin më të lartë të aktakuzave për dhunë në familje.

Sipas raportit, prokuroritë në vend kanë treguar sukses në ndjekjen e veprave që lidhen me këtë formë të dhunës, gjë që nuk ka ndodhur edhe me gjykatat.

“Gjykatat kanë pranuar gjithsej 1 mijë 145 raste të klasifikuara si dhunë në familje. Sa i përket normës së zgjidhjes së lëndëve në këtë periudhë raportuese norma e zgjidhjes së lëndëve në Kosovë është 74.7 për qind, një rezultat që tregon se gjykatat po përballen me sfida në menaxhimin efektiv të lëndëve”, tha Reneta Bajrami.

Nicola Scaramuzzo nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se natyra komplekse e dhunës në familje kërkon një qasje gjithëpërfshirëse.

“Përderisa janë bërë përpjekje, siç e shohim edhe nga raporti, ka pasur raste kur institucionet publike për fat të keq kanë dështuar në mbrojtjen e viktimave duke çuar në pasoja të rënda. Dua të them se garantimi i sigurisë dhe dinjitetit të viktimave duhet të jetë një përparësi me një bashkërendim të fortë dhe llogaridhënie të vërtetë në thelb të përgjigjes sonë kolektive”, tha ai.

Prokurorja Vjosa Bytyqi tha se trajtimi i rasteve të dhunës në familje është përparësi e punës së Prokurorit të Shtetit ndërsa theksoi se kohëve të fundit ka filluar të rritet numri i atyre që raportojnë dhunën.

“Çdo herë ka qenë dhuna prezente në shoqërinë tonë, është dhe do të jetë mirëpo mekanizmat të cilat ne jemi pjesë e këtyre mekanizmave duhet të japim kontributin tonë maksimal që t’u ofrojmë ndihmë dhe mbrojtje viktimës”, tha prokurorja Bytyqi.

Sipas raportit, dhuna psikologjike mbetet lloji më i shpeshtë i dhunës në familje, e ndjekur nga dhuna fizike.

Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 3 vrasje të grave ndërsa nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.