Presidenti Biden pritet të bisedojë me homologun Xi gjatë takimit të nivelit të lartë të APEC-ut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti i Kinës Xi Jinping do të takohen në 16 nëntor në kuadër të takimit të nivelit të lartë të APEC-ut në Lima të Perusë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Dy homologët pritet të rishikojnë fushat e bashkëpunimit, veçanërisht rifillimin e kontakteve mes forcave ushtarake, të diskutojnë mbi përpjekjet për të luftuar krizën globale të fentanilit dhe trajtimin e rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, tha të mërkurën në një takim informues për gazetarët një zyrtar i lartë i administratës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të shprehë “shqetësimin e thellë” mbi përkrahjen e Pekinit për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe dislokimin e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej. Zyrtari tha se Presidenti Biden pritet të ritheksojë “shqetësimin” mbi politikat e padrejta tregtare të Kinës dhe praktikat ekonomike që dëmtojnë punëtorët amerikanë.

Zyrtari shtoi se Presidenti amerikan do të ngrejë çështjen e përpjekjeve për sulme kibernetike kineze ndaj infrastrukturës kritike civile amerikane si edhe aktivitetin e shtuar ushtarak të Pekinit rreth Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut .

Ky ka të ngjarë të jetë takimi i fundit mes Presidenti Biden dhe Xi, para se administrate e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump të nisë punën në janar.

Presidenti i zgjedhur Trump ka emëruar kritikë ndaj Kinës në role kyçe të politikës së jashtme, që mund të çojnë në një qëndrim më konfrontues të Shteteve të Bashkuara ndaj Pekinit. Ai ka zgjedhur ligjvënësin republikan Mike Waltz si Këshilltar të Sigurisë Kombëtare dhe senatorin Maro Rubio si Sekretar Shteti.

“Çfarëdo të vendosë administrata e ardhshme, do të ketë nevojë për të gjetur rrugë për të trajtuar “marrëdhënien e vështirë dhe të ndërlikuar” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, tha zyrtari duke iu përgjigjigjur Zërit të Amerikës.

“Rusia, Deti i Kinës Jugore, çështjet kibernetitke janë fusha që administrata e ardhshme duhet t’i shqyrtojë me kujdes sepse janë fusha me dallime të thella që nuk pres të shuhen”, tha zyrtari.

Presidenti Xi ka të ngjarë jetë duke shqyrtuar se çfarë ka në plan të bëjë administrate e re për tregtinë globale, dhe veçanërisht nëse zoti Trump do të zbatojë premtimin për të vënë tarifa të larta ndaj importeve kineze.