Ish ministri Beqaj pritet të dëshmojë në komisionin hetimor për sterilizimet kirurgjikale dhe kontrollet mjekësore periodike

Komisioni hetimor parlamentar

Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për sterilizimet dhe check up-in as sot nuk mundi që të dëgjojë dëshmitë e ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbi koncesionin e sterilizimeve spitalore kirurgjikale prej 100 milionë euro në 10 vjet.

Prej dy ditësh debatet pro dhe kundër të deputetëve në komision pamundësuan dëshminë e zotit Beqaj, i cili kërkoi mjete audio - vizuale për të ilustruar deklaratën e tij.

Deputetët opozitarë i kërkuan Kuvendit që të thirren për të dëshmuar kryeministri Edi Rama dhe sipërmarrësja Vilma Nushi, si dhe të shtyhet afati i komisionit hetimor.

Në kërkesën e tyre thuhet se nga lista e dëshmitarëve është pyetur vetëm një pjesë e tyre, ndërsa pjesa e mbetur, që ata e cilësojnë si më e rëndësishmja, ish ministra, aksionerë ende nuk kanë dëshmuar dhe kjo e bën hetimin të paplotë.

“Nëse komisioni nuk e zgjat veprmitarinë e tij, nuk ka asnjë afat kohor për të shkruar raportin, i cili fillon pas pyetjes së gjithë dëshmitarëve, proces që minimalisht kërkon 10-14 ditë kohë, bashkë me paraqitjen e raportit për miratim në komision", thuhet në kërkesë.

Por konferenca e kryetarëve në Kuvend rrëzoi kërkesën e 7 deputetëve të opozitës për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në Shëndetësi.

Ish ministri Beqaj, i cili është në arrest me burg për një tjetër çështje penale, u soll dje dhe sot nga policia e burgjeve me lejen e SPAK-ut pranë komisionit parlamentar për të dëshmuar mbi koncesionet në shërbimet shëndetësore, por ai ende nuk ka nisur dëshminë e tij para deputetëve.

Ai ka kërkuar që deklaratën ta shoqërojë me mjete audio vizuale, për të shfaqur foto e video dhe materiale grafike. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga deputetët opozitarë, por u shndërrua në një parakusht nga ata socialistë, çka bllokoi punimet e komisionit në ditën e fundit të afatit të vet ligjor.

Ish ministri Beqaj, ish zëvendësi ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përkatësisht shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrim gjatë procedurave për miratimin e koncesionit, dhe e ka përcjellë çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme prej nëntë muajsh.

Gjatë punimeve të komisionit, që vijua me ndërprerje të shpeshta, u theksua se hetime kanë nisur edhe për koncesionin e check up-it, dhe se hetimi parlamentar është i pavarur nga hetimi penal.