Ish-punonjësi federal akuzohet për rrjedhje dokumentesh sekrete mbi planet e Izraelit për të sulmuar Iranin

Një person që punonte për qeverinë amerikane është akuzuar për rrjedhje informacioni të klasifikuar lidhur me planet e mëparshme të Izraelit për të sulmuar Iranin, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë të mërkurën.

Personi i identifikuar si Asif William Rahman, u arrestua nga FBI-ja këtë javë në Kamboxhia dhe pritet të bëjë paraqitjen e parë në gjykatë në Guam.

Ndaj tij u ngritën dy akuza javën e kaluar në një gjykatë në shtetin e Virxhinias për rrjedhje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare, të cilat mbartin dënime të konsiderueshme me burg.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse zoti Rahman ka një avokat të tijin apo se në cilën agjenci federale ishte punësuar, por zyrtarët thonë se ai kishte qasje në dokumente tepër sekrete.

Akuzat burojnë nga publikimi i dokumenteve që i atribuohen Agjencisë Kombëtare të Zbulimit Gjeohapësinor dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, në aplikacionin e mesazheve Telegram. Sipas këtyre dokumenteve, Izraeli po vazhdonte të lëvizte mjete ushtarake për të kryer një sulm ushtarak në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit më 1 tetor.

Izraeli kreu një sulm hakmarrës ndaj objektivave në Iran në fund të tetorit. Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia kishin qasje në këto dokumente.