Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u thirr sot të dëshmojë para komisionit hetimor parlamentar mbi sterilizimin dhe check up-in lidhur me koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, miratuar nëntë vjet më parë. Zoti Beqaj kërkoi që deklaratën e tij ta ilustronte me mjete audio-vizuale, por kjo kërkesë futi në debate pro dhe kundër anëtarët e komisionit për mbi pesë orë. Komisioni ndërpreu dhe rinisi mbledhjen disa herë gjatë ditës, ndërsa deputetët vazhduan debatin me të njëjtat qëndrime, pa arritur një mirëkuptim mbi kërkesën e zotit Beqaj. Ish ministri Beqaj akuzohet nga SPAK-u për shpërdorim detyre gjatë procedurave të miratimit të koncesionit.
Your browser doesn’t support HTML5
I shoqëruar nga avokati, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u përcoll prej policisë nga mjediset e burgut me lejen e SPAK-ur për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar mbi koncesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe check up-et. Por edhe pse mbërriti në mjediset e Kuvendit rreth orës 10 dhe është i pari në listën e sotme të dëshmitarëve, zoti Beqaj nuk e nisi dëshminë dhe deklaratën e tij as pas 5 orësh.
Pas një debati të ndezur pro dhe kundër mbi zgjatjen e mandatit të punës së komisionit dhe për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama dhe sipërmarrësen Vilma Nushi, ish ministrit Beqaj iu dha fjala për shpjegimet e tij. Ai tha se ishte përgatitur për një deklaratë para se të nisnin pyetjet e deputetëve, por dëshironte që ta ilustronte atë me pamje, foto e video si dhe tregues të tjerë përmes mjeteve audio vizuale.
“Po pres që ju të merrni një vendim mbi kërkesën time. Ligji thotë se vendimet merren me votim, por nuk thotë se kryetarja ka kompetencë të rrëzojë kërkesat me vendimin e saj personal”, tha mes të tjerash zoti Beqaj.
Kërkesa e zotit Beqaj rindezi një tjetër debat pro dhe kundër afro tre orë të tjera nëse aij do t’i mundësohej apo jo një parashtrim i deklaratës së tij me ndihmën e pajisjeve elektronike.
Deputetët socialistë u shprehën se zoti Beqaj mund ta bënte deklaratën shumë më të qartë dhe më të kuptueshme përmes elektronikës dhe se po i shkeleshin të drejtat, ndërsa opozitarët këmbëngulën se një deklaratë vetjake zoti Beqaj mund ta mbante edhe pa ndihmën e elektronikës, e cila nuk u ishte ofruar as dëshmitarëve të tjerë nëpër komisione hetimore dhe se pjesa kryesore e seancës dëgjimore ishin përgjigjet e tij mbi pyetjet e shumta të deputetëve.
Kryetarja Albana Vokshi tha se propaganda e parapërgatitur nga zoti Beqaj ishte e panevojshme dhe se ishin përgatitur nga komisionerët një numër i jashtëzakonshëm pyetjesh ndaj tij lidhur me koncensionet në shëndetësi
“Zoti Beqaj! A do ta lexoni deklaratën tuaj? Se paraqitja juaj propagandistike me foto a video, apo krahasime me shumë vite më parë janë jashtë objektit të hetimit. Nuk po lejojnë kolegët tuaj socialistë, që të flisni. Mos dëgjoni ata, por nisni të lexoni deklaratën tuaj, se ne kemi një mijë pyetje mbi koncesionet”, tha zonja Vokshi.
Deputetët socialistë këmbëngulën që kërkesa e zotit Beqaj për një deklaratë me ndihmën e teknologjisë digjitale të hidhej në votim, por kryetarja e komisionit nuk pranoi, sepse sipas saj, nuk e lejonte procedura e diktuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.
Edhe zoti Beqaj përsëriti se priste që komisioni të merrte një vendim mbi kërkesën e tij, ndërsa socialistët theksuan se refuzimi për pajisje elektronike ishte një përpjekje për të penguar dëshminë e ish ministrit socialist.
Mbledhja e komisionit hetimor u ndërpre herë pas here për shkak te tensioneve mes deputetëve të opozitës dhe të shumicës, të cilët vazhdimisht ia ndërpritnin fjalën njëri tjetrin dhe fajësonin njëri tjetrin se po e pengonin zoti Beqaj që të dëshmonte. Dëshmia e tij ende nuk kishte nisur edhe gjashtë orë pas hapjes së mbledhjes së komisionit.
“Gjykata Kushtetuese thotë që e drejta për të marrë vendime është e pamohueshme, sepse nuk ka sens që një organ kolegjial të funksionojë pa vendim-marrje”, tha nënkryetari socialist i komisionit Plarent Ndreca.
Koncensioni i sterilizimeve kirurgjikale është hetuar gjatë nga SPAK-u, i cili e ka përcjellë çështjen për gjykim që prej muajit mars në Gjykatën e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet nga SPAK-u për shpërdorim detyre gjatë procedurave të miratimit të koncesionit dhjetëvjeçar për sterilizimin e pajisjeve dhe mjediseve kirurgjikale në spitalet publike nga viti 2015 për afro 100 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshon se llogaritjet mbi kostot e sterilizimit janë të fryra, dhe se ministri ishte në dijeni të kësaj por nuk ndërhyri as për t’i anulluar ato dhe as për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij dhe sipërmarrësit përfitues të koncesionit.
Ish zv.ministri Klodian Rrjepaj akuzohet për falsifkim dokumentash në përshtatje me nevojat e përfituesve të paracaktuar, ndërsa sipërmarrësi Ilir Rrapaj akuzohet për mashtrim.
Gjatë dëshmisë së tij dje para komisionit hetimor ky i fundit tha se nuk kishte njohje me ish ministrin Beqaj as me ish zëvendës ministrin Rrjepaj dhe se u njohën vetëm gjatë bashkëpunimit të këtij koncesioni, ku ai ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë fituese.