Opozita serbe kërkon arrestime dhe dorëheqje për aksidentin në stacionin e trenit në Novi Sad

Mijëra protestues u mblodhën para ndërtesës së qeverisë serbe të hënën në Beograd, duke kërkuar arrestimin e atyre që janë përgjegjës për një aksident në një stacion hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që la pas vetes 14 të vdekur.

Veprimtarët e opozitës shprehën zhgënjimin e tyre që askush nuk është arrestuar apo ndjekur për atë që ata thonë se ishte lënie pas dore dhe korrupsion nga autoritetet.

Me 1 nëntor në Novi Sad, rreth 70 km në veriperëndim të Beogradit, çatia përgjatë hyrjes së stacionit hekurudhor u shemb papritmas, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.

"Ky nuk ishte një aksident... Ata u vranë nga korrupsioni, krimi, kontratat e papublikuara, shpërfillja dhe lakmia", tha avokati Jovan Rajiç para turmës së protestuesve. “Prandaj jemi të gjithë këtu, për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi”.

Lexoni edhe këtë Përleshje gjatë protestës për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad

Sipas një plani origjinal, protestuesit duhej t'i dorëzonin Presidentit Aleksandar Vuçiç kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Milosh Vuçeviç dhe kryetarit të Novi Sadit Milan Gjuriç.

Por pallati presidencial ishte i mbyllur dhe i rrethuar nga policia, kështu që ata thanë se do t'i dorëzonin në parlament kërkesat, përfshirë ato për publikimin e kontratave te fshehta për rindërtimin e stacionit hekurudhor.

Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, deputetët e opozitës thanë se do të bëjnë thirrje për një votë mosbesimi ndaj qeverisë.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej "Korrupsioni vret" dhe "Krim, jo tragjedi".

"Kjo është më e pakta që mund të bënim dhe duhej të bënim për krimin që u krye në Novi Sad", tha Miroslav Sharenac, 69 vjeç.

Politikanët opozitarë, aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi, i akuzojnë autoritetet besnike të Presidentit Vuçiç dhe Partisë së tij Përparimtare Serbe për korrupsion të shfrenuar, lidhje me krimin e organizuar, nepotizëm dhe burokraci të tepruar.

Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij mohojnë akuzat e tilla.

Stacioni në Novi Sad u rinovua në vitet 2021 dhe 2022. Punime të tjera të vogla vazhduan deri në korrik të këtij viti.