Parlamenti i Kosovës miraton në parim projekt buxhetin për vitin 2025

  • Leonat Shehu

Parlamenti i Kosovës miratoi të hënën në lexim të parë projekt buxhetin prej 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025, mes debatesh të rrepta ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se buxheti parasheh rritjen e fuqisë blerëse për secilën familje. Ai tha se të mirat që vijnë nga rritja ekonomike do të shpërndahen te të gjithë, e jo siç tha vetëm te grupe të caktuara interesi.

“Me këtë buxhet, e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, vazhdimin e krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë. Për vitin e ardhshëm presim që rritja ekonomike të arrijë në 5.6 për qind të Bruto Produktit Vendor në terma realë dhe synimi ynë është që këtë rritje ta bëjmë duke i përfshirë të gjithë, ashtu siç na takon, ashtu siç e meritojnë qytetarët, duke mos e lënë asnjeri anash”, tha kryeministri Kurti duke theksuar se me këtë buxhet përparësi mbetët sektori i arsimit, shëndetësisë, infrastruktura dhe mbrojtja.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë, duke theksuar se buxheti nuk përfaqëson kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve ndërsa e quajtën buxhet të mbijetesës dhe jozhvillimor.

Mërgim Lushaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se buxheti është planifikuar keq.

“Secili qytetar duhet të pyes vetën. A është më mirë apo më vështirë të jetohet sot apo para katër pesë viteve? Besoj se qytetarët e vendit vazhdimisht po tregojnë se është më e vështurë të jetohet sot. Sot po diskutojmë për një planifikim buxhetor që nuk ndikon asgjë, nuk planifikon asgjë prej të cilit ky shtet dhe ky popull nuk përfiton”, tha ai.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se buxheti i qeverisë nuk përmbush kërkesat që kanë qytetarët e vendit dhe sipas tij kjo do të ndryshohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Ky buxhet është i përkohshëm. Qeveria e ardhshme do të ketë prioritet ndryshimin e këtij buxheti, fillimisht për të rritur pagat, pensionet dhe skemat sociale për normën e inflacionit. Për të buxhetu plotësisht projektet kapitale dhe për t’i shpërndarë ato nëpër sektorë dhe komuna sipas nevojës, për të buxhetu skemën e sigurimeve shëndetësore, për arsmimin, shëndetësin, kontratën kolektive e cila është kaos në buxhet, për ushtrinë dhe plotë institucione të pavararura që janë në shtetin e Kosovës”, tha ai.

Subjektet opozitare thanë se nuk do ta votojnë projektligjin për buxhetin, i cili pritet të dalë në votim për miratim përfundimtar me 21 nëntor.