Turqi: Heqja e licencës së Radios Açik ngjall indinjatën e dëgjuesve 

  • Dorian Jones

Në Turqi, dëgjuesit e Radios Açik po protestojnë pasi rregullatorët i hoqën licencën stacionit me qendër në Stamboll. Për gati 30 vjet, kjo radio është përpjekur të kapërcejë ndasitë në vend. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, analistët thonë se masa ndaj saj është pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj medias nga qeveria.

Your browser doesn’t support HTML5

Turqi: Heqja e licencës së Radios Açik ngjall indinjatën e dëgjuesve

Në lagjen Kadikoy të Stambollit, dëgjuesit protestojnë kundër largimit të të Radios Açik nga valët. Platforma e hapur për ide dhe pluralizëm, thonë ata, i dha stacionit të pavarur një vend të veçantë në peisazhin mediatik të Turqisë.

"Radio Açik është e rëndësishme sepse është një qendër kulturore dhe gjithashtu një mbështetëse e shumë organizatave, shumë OJQ-ve, shumë aktivistëve", thotë dëgjuesja Elif Unal.

"Nga njëra anë sigurisht që është një tronditje, nga ana tjetër, nuk është e papritur, duke pasur parasysh mënyrën se si po ecën i gjithë vendi. Ka gjithnjë e më pak fjalë të lirë dhe mendoj se ka më shumë shtypje”, thotë dëgjuesi Mete Atature.

Rregullatori i medias i Turqisë, RTUK, ia hoqi licencën stacionit, duke thënë se nuk kishte paguar një gjobë dhe masë pezullimi të mëparshme. Ky urdhër erdhi pasi një i ftuar iu referua vrasjeve të armenëve të vitit 1915 nga sundimtarët e atëhershëm otomanë të Turqisë si gjenocid. RTUK tha se ky koment nxiti urrejtje publike.

Ndërsa radioja po paguante gjobën, ajo nuk ndërpreu transmetimet, duke thënë se po e apelonte vendimin fillestar në gjykatë. Analistët e shohin vendimin e rregullatorit muajin e kaluar si pjesë e një prirjeje më të gjerë.

“Ky vendim është veçanërisht shqetësues përsa i përket eliminimit të pluralizmit mediatik në mënyrën më të thellë dhe dobësimit të zërave të mbetur të pakicave dhe është në vazhdën e një misioni politik për të imponuar një pikëpamje të vetme zyrtare [për] shoqërinë”, thotë Erol Onderoglu, përfaqësues për Turqinë i organizatës “Reporterët pa Kufij”.

Që nga fillimet e saj në vitin 1995, Radioja Açik është përpjekur të kapërcejë ndasitë e thella sociale dhe politike të Turqisë, me vullnetarë që prodhojnë dhe paraqesin programe sociale dhe kulturore që përfaqësojnë larminë e vendit, përfshirë pakicat. Yetvart Danzikyan, drejtuesi i emisionit "Radio Agos", thotë se stacioni ofroi një platformë për pakicën armene të Turqisë.

“Ne u përpoqëm të sillnim zërat e padëgjuar jo vetëm të komunitetit armen, por edhe të të gjitha pakicave të tjera: komunitetit grek, hebre dhe suriani. Radio Açik është tashmë e hapur për shumë zëra, por ne po përpiqeshim të sillnim zëra edhe më të padëgjuar në programin tonë”, thotë Yetvart Danzikyan, drejtues i emisionit “Radio Agos”.

Shtrirja e gjerë e stacionit ka bërë që dëgjuesit dhe mbështetësit të dalin për të protestuar kundër heqjes së licencës. Partitë kryesore opozitare të Turqisë mbështesin stacionin dhe shumë e shohin këtë veprim si përpjekje e qeverisë për të forcuar më tej kontrollin ndaj medias.

“Më duhet të them se atmosfera e përgjithshme po shkon drejt më shumë represioni në Turqi. Por ne jemi shumë të vendosur të luftojmë dhe kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjitha rajonet e vendit”, thotë bashkëthemeluesi i radios, Omer Madra.

Radio Açik po sfidon heqjen e licencës në gjykatë dhe kërkon të vazhdojë të transmetojë në internet. Por edhe një gjë e tillë kërkon licencë.