Durrës, shkarkohen nga anija, kontejnerët me mbetje të dyshuara si të rrezikshme

  • Armand Mero

Anija që transportonte ngarkesën me mbetjet e dyshuara si të rrezikshme, duke hyrë mëngjesin e së premtes, në portin e Durrësit

Në Shqipëri, anija e e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme, u lejua të hyjë sot në portin e Durrësit, në përfundim të një odiseje disa mujore në det. Ngarkesa e cila dyshohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, është vënë nën sekuestro nga Prokuroria. Të gjithë kontejnerët u trasnportuan në një zonë të sigurt, ku do të ruhen ndërsa kampionë nga përmbajtja e tyre do të dërgohen në disa laboratorë të huaj për të verifikuar përbërjen.

Pas një pritjeje të gjatë në radë, që prej datës 28 tetor, anija Moliva, e ngarkuar me mbi 100 kontejnerët me mbetjet industriale të uzinës metalurgjike të kompanisë Kurum, hyri sot në mëngjes në portin e Durrësit. Ndonëse Prokuroria kishte urdhëruar sekuestrimin e ngarkesës prej afro 2100 tonelatash, vetëm të premten, autoritetet përgjegjëse për ekzekutimin e këtij urdhëri bën të mundur zbatimin e tij.

Kontejnerët u shkarkuan në portin e Durrësit, për t’u transportuar nën masa sigurie, drejt një zone të rrethuar në Porto Romano. "Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë", bëri të ditur Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila mori në dorëzim ngarkesën.

Prokuroria e Durrësit, pritet që të marrë kampionë të ndryshëm nga kontejnerët, për t’ia nënshtruar analizave laboratorike, të cilat pritet të vërtetojnë dhe përmbajtjen e tyre.

Drejtor i Drejtorisë së Derregullimit, Lejeve dhe Licencave e Monitorimit, në ministrinë e Mjedisit, Athanas Karaja, i cili shoqëronte ministren Mirela Kumbaro në një seancë në komisionin parlamentar të Veprimtarive prodhuese, shpjegoi se analizat do të kryhen jashtë vendit: "Me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, do të merren mostrat. Do dërgohen në Belgjikë, në Zvicër dhe në tre laboratorë të specializuar. Do vijë përgjigja. Nëse është mbetje do të nisin pasojat dhe diskutimi tjeetër. Por deri në momentin që ne flasim askush nuk i ka etiketuar si mbetje, për faktin se në të gjithë dokumentacionin shoqërues, ajo ka ikur nga territori shqiptar si mall”.

Ngarkesa ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ (BAN) me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj organizate, dyshohet se bëhet fjalë për pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, më përmbajtje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Kontejnerët u ngarkuan në portin e Durrësit, pasi mbetjet kishin qëndruar më parë në një mjedis të hapur. Eksporti i tyre u krye nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila në deklaratat doganore dhe dokumentacionin shoqërues dorëzuar autoriteteve nuk ka njoftuar se bëhet fjalë për mbetje, aq më tepër të rrezikshme, siç dhe janë ngritur dyshimet.

Lexoni edhe këtë BAN: Transporti i ‘hirit helmues’ nga Durrësi, maja e një skandali më të madh

Në muajin gusht, pas alarmit të dhënë nga BAN, ngarkesa mori rrugën e kthimit për në Shqipëri. Në atë kohë ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Por në të kundërt, Prokuroria e Durrësit, një ditë përpara se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, urdhëroi sekuestrimin. Për këtë rast, është duke u kryer një hetim dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.