Kryeministri Orban parashikon se administrata e zotit Trump do t'i japë fund mbështetjes amerikane për Ukrainën

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se Ukraina e ka humbur tashmë luftën kundër agresionit rus dhe Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do t’i jap fund mbështetjes amerikane për Kievin.

Kryeministri Orban është mikpritës i një takimi dyditësh në kryeqytetin hungarez, që po i zhvillon punimet nën hijen e fitores së zotit Trump. Lufta në Ukrainë është në krye të rendit të ditës së një takimi të udhëheqësve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, shumica e të cilëve besojnë se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihma financiare janë elementë thelbësorë për sigurinë e kontinentit.

Duke folur në radion shtetërore mëngjesin e së premtes, kryeministri Orban, i cili është i afërt me zotin Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin, përsëriti qëndrimin se duhet një armëpushim i menjëhershëm dhe parashikoi që zoti Trump do t’i jap fund konfliktit.

“Nëse Donald Trump do të kishte fituar në vitin 2020, këto dy vite makthi nuk do të kishin ndodhur, nuk do të kishte pasur një luftë”, tha kryeministri Orban. “Situata në front është e qartë, ka pasur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”, tha ai.

Forcat ruse së fundmi kanë shënuar përparime modeste në lindje të Ukrainës, megjithëse pozicionet në vijën e frontit kanë mbetur relativisht të qëndrueshme për muaj të tërë. Megjithatë, ndërsa lufta u afrohet 1000 ditëve, forcat e Ukrainës po përpiqen të përballen me ushtrinë ruse, e cila është shumë më e madhe në numër dhe e pajisur më mirë.

Mbështetja perëndimore është thelbësore për luftën e kushtueshme dhe shkatërruese të Ukrainës. Pasiguria se sa do të vazhdojë kjo ndihmë u thellua këtë javë me fitoren e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale. Kandidati republikan ka vënë në mëdyshje vazhdimisht ndihmën amerikane për Ukrainën.

Në një mbledhje të udhëheqësve evropianë të enjten në Budapest, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kundërshtoi pretendimin e zotit Trump se lufta e Rusisë me Ukrainën mund të përfundojë brenda një dite, diçka që ai dhe mbështetësit e tij evropianë kanë frikë se do të nënkuptonte paqe me kushte të favorshme për Presidenti rus Putin dhe që përfshin dorëzimin e territoreve.

“Nëse do të ndodhte shumë shpejtë, do të ishte një humbje për Ukrainën”, tha Presidenti Zelensky.

Kryeministri Orban është përpjekur prej kohësh të pengojë mbështetjen e BE-së për Kievin dhe vazhdimisht ka bllokuar, vonuar ose zbutur përpjekjet e bllokut për të siguruar armë dhe fonde dhe për të sanksionuar Moskën për shkak të agresionit të saj.

Por, udhëheqësit e BE-së kanë gjetur kryesisht zgjidhje për çdo pengesë dhe kanë lënë të kuptohet se do të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj, pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë.

Me të mbërritur në takimin e së premtes, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, tha se “ne duhet të forcojmë Ukrainën, ta mbështesim Ukrainën, sepse nëse nuk e mbështesim do të ishte sinjali i gabuar që ne i dërgojmë Putinit, por edhe disa regjimeve të tjera autoritare në gjithë botën”.