Zyrtarët palestinezë: 30 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Një fëmijë në mes të rrënojave të një ndërtese të shkatërruar në një sulm ajror izraelit në Deir el-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, më 5 nëntor, 2024/AFP

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë njoftuan të martën se të paktën 30 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Njëzet persona u vranë gjatë një sulmi ndaj një shtëpie që po strehonte familjet e zhvendosura të hënën vonë, sipas zyrtarëve.

Sulmet të tjera të përgjakshme ndodhën në tre pjesë të tjera të territorit.

Ushtria izraelite tha të martën se forcat e saj kanë vrarë militantë dhe kanë goditur infrastrukturën e tyre në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës.

Konflikti në Liban

Në Liban, deri të hënën numri i të vrarëve e ka tejkaluar shifrën prej 3,000 personash. Shumica e të vrarëve në konfliktin 13 muajor ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut janë shkakuar që nga mesi i shtatorit, kur luftimet mes palëve u përshkallëzuan dhe Izraeli filloi sulmin tokësor në pjesën jugore të Libanit më 1 tetor.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se mbi 13 persona janë plagosur dhe mbi një milionë janë zhvendosur. Izraeli, i cili arriti të vrasë udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe disa komandantë të lartë, thotë se në mesin e të vrarëve janë qindra pjesëtarë të grupit militant.

Në Izrael, Hezbollahu ka vrarë 72 persona në sulme me raketa dhe dronë, në mesin e tyre 30 ushtarë, sipas Zyrës së Kryeministrit izraelit.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së Kryeministrit libanez, Najib Mikati bëri thirrje për “trysni të menjëhershme ndërkombëtare” për t’i dhënë fund luftës me Izraelin, për të mbrojtur civilët dhe ekipet mjekësore nga sulmet, si dhe trashëgiminë kulturore të vendit, sipas agjencisë kombëtare të lajmeve. Izraeli ka sulmuar vazhdimisht qytetet e lashta Tyre dhe Baalbek, duke rrezikuar dëmtimin e monumenteve historike.

Kryeministri Mikati tha se ka biseduar me ambasadorët e pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Britanisë, Kinës, Francës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe me Bashkimin Evropian, mbi situatën.

Ndihmat për Gazën

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Bregun Perëndimor dhe Gazën, Rik Peeperkorn u tha gazetarëve përmes një telefonate nga Gaza të hënën se shumë pak ndihma humanitare janë futur në pjesën veriore të territorit gjatë muajit tetor. Ai tha se misionet për të dërguar ndihma “janë anuluar, janë penguar, apo vonuar”.

Aktualisht, misionet private për dërgesën e ndihmave “pothuajse janë ndalur” dhe se autoritetet izraelite tani po lejojnë kalimin në vetëm tre pika kufitare me Gazën – në Kerem Shalom, në Portën 96 dhe në Erez.

“Punonjësit humanitarë mund të futen përmes këtyre kalimeve kufitare vetëm përmes rrugëve anësore shumë të rrezikshme”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. “Shumica e rrugëve që çojnë drejt këtyre kalimeve ose janë mbyllur nga autoritetet izraelite, ose janë shpallur të rrezikshme për shkak të luftimeve të vazhdueshme”.

Kombet e Bashkuara janë në fazën përmbyllëse të fushatës së vaksinimit kundër polios në Gazë. Sipas zyrtarit Peeperkorn, OKB-ja synon të vaksinojë rreth 600,000 fëmijë nën moshën 10 vjeçare që gjenden në territorin e Gazës. Në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës, ata kanë mbuluar rreth 95 për qind të këtij plani dhe në pjesën veriore të Gazës tashmë kanë vaksinuar 95,000 fëmijë, apo rreth 79 për qind e tyre.