SHBA, zgjedhjet presidenciale dhe dinamika e kërcënimeve

  • Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë të martën se kush do ta udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin, zyrtarët e sigurisë dhe të zbulimit paralajmërojnë se votuesit po përballen me një mjedis zgjedhor ku është shtuar dinamika e kërcënimeve që vijnë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, zgjedhjet presidenciale dhe dinamika e kërcënimeve


Djegia e kutive të votimit në Uashington dhe Oregon ishte një zhvillim tronditës për zyrtarët e zgjedhjeve ndërsa në disa shtete vazhdon votimi i hershëm.


“Policia zbuloi se një mjet ndezës në kutinë e votimeve kishte shkaktuar zjarrin”, tha zëdhënësi i byrosë së policisë së Portlandit, Mike Benner.

Zyrtarët e sigurisë kibernetike thonë se sistemi është i sigurt.

“Pavarësisht nga fakti se mjedisi i kërcënimit nuk ka qenë kurrë më kompleks, infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt dhe punonjësit e sigurisë kibernetike zgjedhore nuk kanë qene kurrë më të përgatitur”, thotë Jen Easterly, drejtoreshë e Agjencisë amerikane për Sigurinë dhe Infrastrukturën Kibernetike.

Që nga janari i vitit të kaluar, zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë kanë zhvilluar më shumë se 1300 vlerësime të sigurisë fizike, përveç provave të shumta për t'u përgatitur për pothuajse çdo rast.

“Zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve po mësojnë nga problemet e së kaluarës. Trajnimi i organeve të rendit, zyrtarëve të sigurisë dhe të tjerë, do të ndihmojë në uljen e çdo mundësie për dhunë”, thotë Andrew Borene, drejtor ekzekutiv për sigurinë globale në firmën Flashpoint.

Por agjencitë amerikane të zbulimit thonë se kërcënimet vazhdojnë. Zyrtarët amerikanë thonë se kërcënimet e jashtme vijnë nga tre vende kryesore, Rusia, Irani dhe Kina.

Ata thonë se Rusia po përpiqet të ndikojë në rikthimin e ish Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Irani po përpiqet ta dëmtojë zotin Trump dhe ta ndihmojë Nënpresidenten Kamala Harris, duke e parë atë si një kërcënim më të vogël.

Zbulimi amerikan thotë se Kina është më e përqendruar tek garat për Kongres. Kompania Microsoft ka konfirmuar se hakerët kinezë kanë vënë në shënjestër vazhdimisht ligjvënësit republikanë që kanë qenë kritik ndaj Pekinit.

Përpjekje të tjera synojnë të krijojnë kaos.

Një vlerësim i deklasifikuar i zbulimit amerikan paralajmëron se Rusia ka plane për të nxitur dhunë dhe se edhe Irani mund të bëjë përpjekje të tilla.

Rusia, Irani dhe Kina i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza. Nga ana tjetër, Uashingtoni thotë se ka prova. Videot e manipuluara të postuara në mediat sociale, ku gjoja shihen votat e grisura në Pensilvani dhe emigrantët që pretendojnë se votojnë disa herë në Xhorxhia, janë vepër e ndikimit rus. Videot kanë bërë bujë. Por nuk dihet nëse po ndryshojnë mendjen e votuesve.

“Do të thoja se suksesi është mjaft i vogël. Nuk kemi vënë re që këto video apo përmbajtje të kalojnë përtej mediave sociale ose rrjetit Telegram”, thotë Brian Liston me Grupin "Recorded Future's Insikt"

Për momentin, zyrtarët amerikanë të zgjedhjeve dhe sigurisë po u kërkojnë votuesve që të mos bien pre e keqinformimit dhe dezinformimit, duke u përpjekur që t'i sigurojnë ata se mund t'i besojnë procesit zgjedhor dhe rezultateve.