Ministria e Jashtme e Serbisë tha të premten se legjislacioni i miratuar në qeveri për Kosovën ka për synim të mbrojë të drejtat dhe sigurinë sociale të popullit serb në Kosovë.
Reagimi pasoi kritikat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj qeverisë së Serbisë për shkak të miratimit të një projektligji mbi juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë, që përbën shkelje të detyrimeve të Beogradit që dalin nga procesi i bisedimeve në Bruksel.
Të premten edhe Gjermania ju bashkua kritikave ndaj Serbisë, duke theksuar se "shpallja e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e veprave penale shkel qartë detyrimet e saj të dialogut”, thuhet në reagim duke kërkuar nga Serbia që të rishqyrtojë vendimet.
Projektligji për kompetencën e autoriteteve gjyqësore, ndër të tjera parasheh themelimin e një prokurorie të posaçme dhe një trupi gjykues të posaçëm “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në përndjekjen e popullatës serbe në Kosovë”.
Ministria e Jashtme e Serbisë tha se me masat e propozuara, Beogradi synon të përmirësojë kushtet e jetesës dhe cilësinë e jetës për serbët në Kosovë.
“Çështja e statusit nuk duhet të ketë kurrë përparësi ndaj të drejtave të njeriut, të cilat janë shkelur rëndë nga një sërë veprimesh të pabashkërenduara dhe të njëanshme nga qeveria e Albin Kurtit dhe as mbi shtytjen për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese”.
Ministria e jashtme serbe tha se mbetët shumë e shqetësuar për mirëqenien e popullit serb dhe komuniteteve të tjera në Kosovë ndërsa theksoi se “shpreson që reagimet ndaj përpjekjeve legjitime të Beogradit për të ndihmuar ata që po vuajnë si rezultat i veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara, nuk do të shihen si inkurajim të mëtejshëm për këto veprime”.
Lexoni edhe këtë Shtetet e Bashkuara kritikojnë projektligjet e miratuara nga Serbia që lidhen me KosovënSerbia, tha ministria e jashtme, mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e dialogut dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Vetëm një qasje e drejtë dhe e balancuar ndaj Dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese do të nxisë besimin dhe do të na ndihmojë të ndërtojmë kolektivisht një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt”, thuhet në reagimin e ministrisë së jashtme të Serbisë.
Këto projektligje u paralajmëruar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç më 13 shtator, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet e emëruara nga Serbia.
Miratimi i projektligjeve nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë të cilat i quajtën veprime armiqësore dhe agresive ndaj kushtetutshmërisë dhe sigurisë në Kosovë.