Blinken: Trupat koreanoveriore në Rusi mund të përfshihen në luftën kundër Ukrainës gjatë ditëve në vazhdim

Shtetet e Bashkuara presin që trupat koreanoveriore, të vendosura në rajonin rus të Kurskut, mund të përfshihen në luftën kundër Ukrainës gjatë ditëve në vazhdim, tha të enjten Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ndërsa i kërkoi Kinës që të shfrytëzojë ndikimin e saj për të frenuan Phenianin.

Zoti Blinken foli pasi Koreja e Veriut kreu testin e saj më të gjatë me raketë balistike ndërkontinentale më herët të enjten dhe paralajmërimit nga Koreja e Jugut se Moska mund t’i ofrojë Phenianit teknologji raketash si shpërblim për ndihmën në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Kryediplomati amerikan tha se rreth 10,000 trupa koreanoveriore ndodheshin në Rusi, mes tyre rreth 8,000 në rajonin e Kurskut, të kontrolluar nga forcat ukrainase pas aksionit të muajit gusht në territorin rus.

Në një konferencë shtypi me Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe homologët e tyre koreanojugorë, zoti Blinken tha se Rusia po i trajnon ushtarët e Koresë së Veriut në përdorimin e artilerisë, mjeteve ajrore pa pilot ose dronët dhe operacione bazë të këmbësorisë, çka tregon se ata "kanë qëllim të plotë" që t’i përdorin forcat në vijën e parë të frontit.

Nëse hyjnë në fushën e betejës, ata do të bëhen objektiva ushtarakë legjitim, tha zoti Blinken.

“Ende nuk e kemi parë dislokimin e këtyre trupave në luftime kundër forcave ukrainase, por presim që kjo të ndodhë në ditët në vijim”, tha ai.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se përdorimi nga Rusia i ushtarëve të Koresë së Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës është një tregues i qartë i dobësisë së Kremlinit. Sekretari Austin tha se gjatë ditëve të ardhshme Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë një ndihmë të re sigurie për Ukrainën.