Shkodër, përplasje mes grupeve kriminale. Tre të vrarë dhe një i plagosur

  • Pëllumb Sulo

Tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër i plagosur gjatë një atentati të ndodhur pasditen e të mërkures, rreth orës 15 e 50, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur Dobraç. Në shënjestër të atentatit dyshohet se ishin Hamza Lici, i cili ka mbetur i vrarë, dhe Arlind Bushati, i plagosur në gjendje të rëndë, ndërroi jetë në spitalin e qytetit. Sipas një njoftimi paraprak nga policia, të dy udhëtonin në një makinë benz, me targa belge, kur u qëlluan nga një makinë tjetër në lëvizje. Automjeti i viktimave dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonin shtetasi Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij shtetasja Flutra Basha. Si pasojë e përplasjes, në vendngjarje ka ndërruar jetë shtetasja Flutra Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Viktima e atentatit Hamza Lici është djali i Mustafa Licit, kryetar prej shumë vitesh i një partie të vogël, partisë “Mendimi i Djathtë Liberal” dhe ish këshilltar bashkiak. Gjithashtu ai është vëllai i Ibrahim Licit, një person në kërkim nga policia për përfshirjen në disa vepra të rënda penale. Ndërsa Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.

Me datën 10 tetor të këtij viti, shtetasi Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë. Një ditë më pas ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa, në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli. Autorët e kësaj ngjarje kanë mbetur të paidentifikuar nga policia.

Atentati i sotëm në Shkodër dyshohet se lidhet me veprimtarinë e grupeve kriminale, të cilët veprojnë prej shumë vitesh në këtë qytet dhe që kanë shkaktuar një numët vrasjesh dhe vepra të tjera kriminale.

Prej disa vitesh, familjet e njohura Lici dhe Bajri janë në përplasje me njëra tjetrën, ç’ka ka shkaktuar edhe disa viktima. Përplasja dyshohet se ka nisur pas një atentati, në janar të 2018, ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, kur në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri.

Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, që dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, më 1 shtator të vitit të 2018 u vra Arjan Ferracaku, që po kalëronte. Më 14 nëntor u ekzekutua kushëriri i Arjanit, Fatos Ferracaku, kur shiste peshk në lagjen “Rus”. 30 mars 2019, vriten në shtëpi Astrit e Ibrahim Bilali . Saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor dyshohet Ibrahim Lici.

Një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë dalë edhe në bisedat e zhvilluara në SKY dhe ECC dhe po hetohen nga SPAK.