IPK kërkon pezullimin e dy zyrtarëve policorë nën dyshimet për keqtrajtim të një qytetari serb në veri të Kosovës

  • Leonat Shehu

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi të mërkurën se ka rekomanduar pezullimin e dy zyrtarëve policorë pas hetimeve lidhur me keqtrajtimin e një qytetari serb në Mitrovicën e Veriut, ngjarje që nxiti reagime të shumta.

Kërkesa për pezullimin e zyrtarëve të policisë pasoi publikimin javën e kaluar të një videoje në rrjetet sociale nga ana e subjektit politik “Demokracia serbe”, ku shihet arrestimi i një qytetari serb dhe deklaratat e tij për siç thotë keqtrajtim nga ana e policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës tha se rekomandimi për pezullim të një rreshteri dhe një zyrtari tjetër policor “është bërë në interes të hetimit me dyshimin se ata janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast”.

Policia e Kosovës në reagimin e parë pas njoftimeve për keqtrajtim kishte thënë se njësia policore “ka ndaluar personin me inicialet M.S., pasi kishte tentuar të dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme të cilat ishin pronë e një dyqani. Policia tha se personi i dyshuar ka refuzuar t’u bindet urdhrave të policisë për ndalimin e veprimeve ndërsa ka ofenduar zyrtarët policorë në gjuhën serbe”.

Lexoni edhe këtë Kosovë, Inspektorati i policisë do të hetojë pohimet për keqtrajtim të një qytetari në veri të vendit

Zëvendës Avokati i Popullit të Kosovës Sërxhan Sentiç, bëri thirrje që kjo praktikë të ndërpritet dhe të sanksionohet.

Disa organizata të shoqërisë civile serbe ndërprenë bashkëpunimin me misionin evropian për Sundimin e Ligjit EULEX derisa të deklarohet për arrestimin dhe rrahjen e paligjshme të Millosh Subotiç.

Në disa raste partitë politike dhe shoqëria civile në veri të Kosovës kanë ngritur shqetësimet për siç thonë veprimet e dhunshme të policisë së Kosovës ndaj qytetarëve serbë në këtë pjesë të vendit.

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që për çdo shkelje të mundshme të paraqesin ankesat në institucionet përgjegjëse.