SHBA/ Sulmohen kutitë e votimit, Departamenti i Sigurisë paralajmëron rreziqe të mundshme

  • Jeff Seldin

Një seri sulmesh ndaj kutive të votimit në disa shtete po rrit trysninë ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, të cilët shpresojnë të mbikëqyrin një proces zgjedhor të sigurt dhe paqësor, si në votimet e hershme që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, ashtu edhe ditën e zgjedhjeve, kur miliona amerikanë t’u drejtohen qendrave të votimit.

Shteti veriperëndimor i Uashingtonit i konfirmoi Zërit të Amerikës të hënën se policia lokale dhe FBI-ja po hetojnë të dhënat lidhur mbi dyshimet se një "pajisje ndezëse" ishte vendosur në një kuti votimi, në Vankuver, të Uashingtonit, herët të hënën.

Fjala është për kuti të posaçme ku hidhen votat e dërguara me postë, në kuadër të procesit të votimit të hershëm.

Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar, por se disa nga fletët e votimit ishin dëmtuar. Në videot të transmetuara nga mediat lokale dukeshin zjarrfikësit në vendngjarje, ndërsa disa nga fletët e votimit digjeshin në tokë.

Më herët të hënën, zyrtarët në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, njoftuan se në një nga kutitë e votimit ishte vendosur një pajisje ndezëse. Falë një mekanizmi kundra zjarrit, u bë e mundur që të shmangej dëmtimi masiv i fletëve të votimit. Vetëm tre prej tyre u dëmtuan.

"Sulmi ndaj kutive të votimit është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe është krejtësisht e papranueshme", tha Sekretarja e shtetit të Oregonit, LaVonne Griffin-Valade në një deklaratë. Edhe Sekretari i shtetit të Uashingtonit dënoi rastet.

“Dënoj me forcë çdo akt terrori që synon të prishë zgjedhjet e ligjshme dhe të ndershme në shtetin e Uashingtonit”, tha Steve Hobbs. “Nuk do të tolerojmë kërcënime apo akte dhune që synojnë të minojnë procesin demokratik”.

Sulmet ndaj kutive të votimit në Uashington dhe Oregon pasojnë sulmin e javës së kaluar në një kuti postare me fletë votimi në Feniks të Arizonës, në jugperëndim të vendit. Zyrtarët atje arrestuan një të dyshuar për vënien e zjarrit që çoi në dëmtimin e rreth 20 fletësh votimi.

Sulmet ndaj kutive postare dhe kutive të mbledhjes së votave ndodhin në një kohë që zyrtarët amerikanë të sigurisë po lëshojnë paralajmërime të reja për dhunë të mundshme të lidhur me zgjedhjet nga ekstremistë me bazë në Shtetet e Bashkuara.

“Presim që ekstemistët e dhunshëm të paraqesin kërcënimin më të madh fizik për zyrtarët e qeverisë, votuesit si dhe personelin dhe infrastrukturën e lidhur me zgjedhjet”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një vlerësim të lëshuar në fund të shtatorit.

Sipas këtij vlerësimi, objektiva të mundshme mund të jenë “qendrat e votimit, qendrat e posaçme për hedhjen e votave të dërguara me postë, qendrat e regjistrimit të zgjedhësve, zonat ku mbahen tubimet zgjedhore, selitë e partive politike dhe qendrat e numërimit të votave”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se kërcënimi më i madh ka të ngjarë të burojë nga “ekstremistët e brendshëm të dhunshëm anti-qeveritarë dhe kundra ligjit, shumë prej të cilëve mund të frymëzohen nga teoritë konspirative ose akuzat partiake”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare po ashtu ka intensifikuar paralajajmërimet me një sërë shkresas dërguar agjencive policore në të gjithë vendin, disa prej të cilave u siguruan nga organizata “Në Pronësi të Njerëzve”, një organizatë që thotë se është e “përkushtuar për të kërkuar transparencë nga qeveria”.

Disa nga këto shkresa që u panë nga Zëri i Amerikës citojnë thirrjet e shtuara në mediat sociale për të sulmuar kutitë e grumbullimit të votave, si edhe thirrjet në rritje për luftë civile, pas atentatit në muajin korrik ndaj ish-Presidentit dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump.

“Shtetet e Bashkuara përballen me një mjedis kërcënues në rritje dhe ne vazhdojmë të ndajmë informacion me organet partnere ligjzbatuese lidhur me rrezikun që paraqesin ekstremistët e brendshëm të dhunshëm në kuadër të zgjedhjeve të 2024”, tha një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare për Zërn e Amerikës kur u pyet mbi këto shkresa. “Departamenti i Sigurisë Kombëtare vazhdon të bashkëpunojë me partnerët për të vlerësuara dhe kufizuar rreziqet e reja që mund të vijnë nga aktorë vendas dhe të huaj”, shtoi zëdhënësi. “Departamenti vazhdon të këshillojë partnerët federalë, shtetërore dhe lokalë që të tregohen vigjilentë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm si dhe inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo akt të dyshimtë pranë autoriteteve lokale”, nënvizoi ai.

Ndërsa zyrtarët e sigurisë amerikane besojnë se rreziku më i madh për dhunë mund të vijë nga ekstremistët anti-qeveritarë me bazë në Shtetet e Bashkuara zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë ngritur shqetësime se kundërshtarë si Irani dhe Rusia gjithashtu mund t'i shtyjnë ata të kryejnë sulme.

Një vlerësim i shërbimit amerikan të zbulimit, i klasifikuar ‘jo sekret’, i bërë publik javën e shkuar, paralajmëronte se zyrtarët janë "gjithnjë e më të sigurtë " se Rusia po fillon të angazhohet në plane "që synojnë nxitjen e dhunës".

Po ashtu, thuhej se edhe Irani "mund të përpiqet të nxisë dhunë".