Ish-ndihmësit e quajnë zotin Trump fashist, JD Vance i quan ata “ish-zyrtarë të pakënaqur”

John Kelly

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili po kandidon për një mandat të dytë, është quajtur "fashist" dhe njeri "i papërshtatshëm për postin e presidentit" nga disa ish-ndihmës të tij të lartë, por kandidati republikan për nënpresident, JD Vance të dielën i kundërshtoi këto vlerësime. Ndërkohë drejtuesit e fushatës së demokrates Kamala Harris e kanë përfshirë këtë çështje të debatueshme në reklamat e tyre politike në shtetet e pavendosura.

John Kelly ka qenë shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2019. Në një intervistë të fundit me gazetën The New York Times, gjenerali në pension kur u pyet nëse republikani Donald Trump është fashist tha: “ai është sigurisht një autoritar, adhuron diktatorët. Ai e ka thënë vetë këtë. Pra, ai sigurisht që është pjesë e përkufizimit të përgjithshëm të termit fashist.”

Zoti Trump reagoi ndaj këtyre akuzave në platformën e mediave sociale “Truth Social”, duke shkruar ndër të tjera se “John Kelly është një njeri i paditur dhe një gjeneral i keq, këshillat e të cilit nuk i mora parasysh më në Shtëpinë e Bardhë dhe i kërkova që të largohej!”

Të dielën, kandidati republikan për nënpresident, JD Vance komentoi rreth deklaratave të gjeneralit Kelly, si dhe të ish-komandantit të Shtatmadhorisë Amerikane Mark Milley lidhur me çështjen nëse zoti Trump është fashist.

“Shumica e njerëzve që kanë punuar ngushtë me zotin Trump e mbështesin atë. Mendoj se Mark Milley dhe John Kelly janë të dy ish-punonjës të pakënaqur”, tha zoti Vance.

Megjithatë, trembëdhjetë ish-ndihmës të zotit Trump publikuan një letër të hapur të premten, duke mbështetur komentet e gjeneralit John Kelly. Ata paralajmëruan se kandidati republikan për president është "i papërshtatshëm për postin e presidentit."

Senatori republikan Lindsey Graham nuk është dakord me këtë vlerësim.

“Unë kam qenë afër tij. Nuk mendoj se ai është fashist. Mendoj se ai ishte një president shumë i fortë në një kohë kur ne kishim nevojë për një president të fortë. Unë mendoj se ai do të jetë një president i fortë për ta rikthyer këtë vend në rrugën e duhur”, tha ai.

Me synimin për të fituar mbështetjen e votuesve në shtetet e pavendosura, ekipi i fushatës së demokrates Kamala Harris ka publikuar një reklamë të komenteve të gjeneralit John Kelly. Nënpresidentja Harris nuk i është shmangur shprehjes së shqetësimeve të ngjashme për rivalin e saj.

“Donald Trump është gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe më i ashpër. Në një mandat të dytë, njerëz si John Kelly nuk do të ishin të pranishëm për të mbrojtur vendin nga prirjet dhe veprimet të tij”, tha ajo.

Senatori i pavarur Bernie Sanders, i cili mbështet kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris, u pyet të dielën nëse ai beson se zoti Trump është fashist.

"Nuk më pëlqen t'i përdor ato fjalë, por është e qartë se ai ka një prirje të fortë drejt autoritarizmit dhe minimit të demokracisë amerikane", tha ai.

Debati mbi këtë çështje vjen ndërsa dy kandidatët presidencialë janë në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e 5 nëntorit.