Koalicioni qeverisës i Japonisë humbi shumicën e tij parlamentare në zgjedhjet kombëtare të së dielës, duke rritur pasigurinë mbi përbërjen e qeverisë së ardhshme dhe perspektivën për vendin me ekonominë e katërt më të madhe në botë.
Me pothuajse të gjitha votat të numëruara për 465 vendet në parlament, Partia Liberale Demokratike (LDP) e Kryeministrit Shigeru Ishiba, e cila ka qeverisur Japoninë gjatë gati gjithë historisë së saj të pasluftës, dhe partnerja më e vogël e koalicionit, partia Komeito, morën 209 vende në dhomën e ulët të parlamentit, njoftoi transmetuesi publik NHK.
Kjo ishte më pak se 279 vendet që kanë patur më parë dhe shënoi rezultatin më të keq zgjedhor të koalicionit, që kur humbi pushtetin për pak kohë në vitin 2009.
Fituesja më e madhe rezulton partia kryesore e opozitës Partia Demokratike Kushtetuese e Japonisë (CDPJ), e cila ka siguruar deri më tani 143 vende në parlament, nga 98 që kishte më parë, pasi votuesit ndëshkuan partinë e Kryeministrit Ishiba për një skandal fondesh dhe inflacionin.
Rezultati mund t'i detyrojë palët të hyjnë në një marrëveshje për ndarje të pushtetit, duke sjellë mundësinë e paqëndrueshmërisë politike, ndërsa vendi përballet me vështirësira ekonomike dhe një situatë të tensionuar sigurie në Azinë Lindore.
Kryeministri Ishiba tha se do të priste deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, të cilat mund të priten në orët e para të së hënës, përpara se të shqyrtonte koalicionet e mundshme, ose marrëveshje të tjera për ndarjen e pushtetit.
Kryeministri kishte thirrur zgjedhjet e parakohshme menjëherë pasi u zgjodh në krye të partisë muajin e kaluar, me shpresën për të fituar një mandat publik për postin e tij të kryeministrit. Paraardhësi i tij, Fumio Kishida, dha dorëheqjen pasi mbështetja e tij ra për shkak të zemërimit për krizën e kostos së jetesës dhe skandalit me donacionet e paregjistruara për ligjvënësit.
Zgjedhjet u zhvilluan gjithashtu nëntë ditë përpara se votuesit në Shtetet e Bashkuara - aleati më i afërt i Japonisë - të shkojnë drejt qendrave të votimit në një tjetër votim të paparashikueshëm.