Mbetjet e dyshuara të rrezikshme pritet të rikthehen në Shqipëri

  • Armand Mero

Porti i Durrësit

Në Shqipëri një anije e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme, pritet të mbërrijë në portin e Durrësit. Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara. Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen

Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale, të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, pritet të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit të nesërm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Lexoni edhe këtë BAN: Transporti i ‘hirit helmues’ nga Durrësi, maja e një skandali më të madh

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria. Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë.

Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri.

Në atë kohë, në muajin gusht, ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Për momentin nuk është e qartë se si do të veprohet nesër me anijen që pritet të mbërrijë në Durrës. Sipas autoriteteve shqiptare të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të ndiqen. “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” ka bërë thirrje që “kontejnerët të hapen publikisht dhe në prani të grupeve të pavarura si BAN-i dhe mostrat të ndahen që të mund të analizohen paralelisht në laboratorë të ndryshëm”, tha drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Jim Puckett.

Lexoni edhe këtë BAN: Qindra tonelata mbetjesh industriale pritet të kthehen në Durrës më 27 tetor

Sot në hyrje të Portit të Durrësit, Partia Demokratike organizoi një protestë, me pjesmarrjen dhe te ekspertëve të mjedisit. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi drejtoi gishtin e përgjegjësisë mbi qeverinë shqiptare: “Askush nuk e di çfarë po ndodh me këto mbetje toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve, fëmijëve tanë. Askush të mos tentojë ta shesë këtë si histori pazaresh mes privatësh. Secilit pjesën e përgjegjësisë që i takon, dhe më e rrezikshmja është e atyre që drejtojnë këtë vend

Ndërsa ambientalistët, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi rrezikshmërinë e ngarkesës me mbetje, deklaruan se ato nuk duhen pranuar përsa kohë nuk dihet se çfarë janë saktësisht.