Seuli do të informojë NATO-n mbi trupat e Phenianit që kanë shkuar në Rusi

Një delegacion i nivelit të lartë nga Koreja e Jugut do të informojë të hënën Këshillin e Atlantikut të Veriut, lidhur me dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi.

Njoftimi mbi këtë çështje u bë nga NATO të dielën. Uashingtoni ka shprehur shqetësimin e madh për përdorimin e mundshëm të këtyre trupave kundër Ukrainës.

Ambasadorët e vendeve partnere të NATO-s në Indo-Paqësor, përfshirë Australinë, Japoninë, Zelandën e Re si dhe Republikën e Koresë – janë ftuar të marrin pjesë”, bëri të ditur aleanca ushtarake.

Këshilli i Atlantikut të Veriut është organi kryesor vendimmarrës i NATO-s.

Zbulimit ushtarak ukrainas bëri të ditur të enjten se rreth 12,000 trupa të Koresë së Veriut, mes tyre 500 oficerë dhe tre gjeneralë, ndodheshin tashmë në Rusi dhe po stërviteshin në pesë baza ushtarake.

Duke folur në të njëjtën ditë, Presidenti rus Vladimir Putin nuk i mohoi njoftimet se trupat e Koresë së Veriut ndodheshin në Rusi. Por tha se i takonte Moskës të vendoste se si do ta zbatonte një traktat me Phenianin, i cili përfshin një klauzolë të mbrojtjes reciproke kundër çdo agresioni të jashtëm.

Rusia filloi sulmin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.