Kosovë, Inspektorati i policisë do të hetojë pohimet për keqtrajtim të një qytetari në veri të vendit

  • Leonat Shehu

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi të shtunën se do të hetojë pohimet e raportuara për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut të një qytetari serb.

Hetimet pasuan publikimin e një video në rrjetet sociale nga ana e subjektit politik “Demokracia serbe”, ku shihet arrestimi i qytetarit serb dhe deklaratat e tij për siç thotë keqtrajtim nga ana e policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës tha se ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia.

“Sipas raporteve zyrtare incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 3) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë. Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësinё publike) i njëjti është liruar”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Policia e Kosovës përmes një reagimi tha se njësia policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare te ura qendrore afër sheshit Car Llazar, ka hasur në personin (M.S.), i cili tentonte të dëmtojë gjera dhe pajisije të ndryshme të cilat ishin pronë e një dyqani.

Policia tha se personi i dyshuar ka refuzuar t’u bindet urdhërave të policisë për ndalimin e veprimeve ndërsa ka ofenduar zyrtarët policorë në gjuhën serbe.

“Edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të njejtin ta ndalojnë së vepruari dhe së fyeri, i njejti nuk ka ndaluar dhe nuk iu është bindur urdhrave të ligjshëm policorë, andaj zyrtarë janë detyruar që të njejtin ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor”, thuhet në reagimin e policisë duke nënvizuar se i arrestuari dyshohet se ka qenë nën ndikim të alkoolit.

Ngjarja e së shtunës ngjalli reagime të shumta të zyrtarëve në Beograd, partive politike serbe në Kosovë dhe të shoqërisë civile.

Zëvendës Avokati i Popullit të Kosovës Sërxhan Sentiç reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se i ndaluari nga policia, Millosh Subotiç është një njeri shembullor i familjes dhe një qytetar akademik, një shembull përkushtimi dhe integriteti që mund të shërbejë si model për të gjithë komunitetin.

Zoti Sentiç tha se shkelja e vazhdueshme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga ana e organeve kompetente, përfshirë edhe përdorimin e forcës nga policia e Kosovës, tregon për një problem sistemik.

“Kjo praktikë, e cila përfshin trajtimin çnjerëzor dhe përdorimin e papërshtatshëm të forcës, duhet të ndalet plotësisht dhe të sanksionohet”, shkroi zëvendës Avokati i Popullit të Kosovës Sërxhan Sentiç.

Disa organizata të shoqërisë civile serbe thanë se kanë ndërprerë bashkëpunimin me misionin evropian për Sundimin e Ligjit EULEX derisa të deklarohet për arrestimin dhe rrahjen e paligjshme të Millosh Subotiç.

“Arrestimi dhe rrahja e tij është një tjetër akt në serinë e veprimeve të paligjshme të pjesëtarëve të rajonit të Veriut dhe nënvizon shkallën e joprofesionalizmit dhe indinjatës së gjëja përfaqësuesve të organeve të rendit ndaj qytetarëve".

Organizatat e shoqërisë civile thanë se po i ndërpresim të gjitha format e bashkëpunimit dhe takimeve me misionin e EULEX-it derisa të paraqesin vlerësimin e tyre për punën e policisë dhe forcave të posaçme në veri.

“Njëkohësisht, kërkojmë inicimin e një hetimi më të gjerë nga Inspektorati Policor i Kosovës për tërë veprimet e rajonit të Veriut, këtë rast individual, por edhe të gjitha incidentet e mëparshme në të cilat pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me uniformë apo civil, ishin të përfshirë”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile serbe.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se përdorimi i tepruar i forcës dhe tortura policore kanë qenë prej kohësh e zakonshme në veri të Kosovës dhe se sipas tyre rrahja e mbrëmshme e Milosh Subotiç, në stacionin policor “konfirmon edhe një herë se Prishtina tani po aplikon në mënyrë rutinore metodat “Gestapo” të frikësimit dhe dhunës kundër pjesëtarëve të popullit serb”.

Lista Serbe subjekti kryesor serb që mbështetët nga Beogradi tha se heshtja e misioneve ndërkombëtare “shihet si miratim në Prishtinë, prandaj nuk është çudi që në periudhën kur serbët po dhunohen, EULEX-i hesht dhe pjesëtarët e tyre marrin lëvdata nga shefi i policisë së Kosovës, që të mos themi paradoksale”.

Në disa raste partitë politike dhe shoqëria civile në veri të Kosovës kanë ngritur shqetësimet për siç thonë veprimet e dhunshme të policisë së Kosovës ndaj qytetarëve serbë në këtë pjesë të vendit.

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që për çdo shkelje të mundshme të paraqesin ankesat në institucionet përgjegjëse.