Analistët: Ligji për agjentët e huaj kërcënim për demokracinë në Mal të Zi

  • Ali Salaj

Kërkesa e partive pro-serbe dhe pro-ruse, që janë pjesë e qeverisë në Mal të Zi, për miratimin e ligjit për agjentët e huaj vlerësohet nga analistët malazezë si kërcënim serioz për demokracinë por edhe për integrimin evropian të vendit.

Këto kërkesa, sipas tyre, janë absurde dhe miratimi i një ligji të tillë rrezikon rrugën e Malit të Zi drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Përmendja e miratimit të një ligji të këtillë është absurde, aqë më shumë kur Mali i Zi pretendon dhe është një shtet që po bën hapa për tu integruar në BE. Aqë më shumë kur dihet se këto ligje përcaktohen me rregulla dhe norma që janë të nivelit ndërkombëtar dhe që nënkuptojnë lëvizjen e kapitalit në mënyrë të lirë”, thotë analisti dhe publicisti Haxhi Shabani.

Your browser doesn’t support HTML5

Analistët: Ligji për agjentët e huaj kërcënim për demokracinë në Mal të Zi

Analisti Muzafer Beli Çaushi shpreh habinë se si një kërkesë e tillë mund të vijë nga parti dhe organizata, duke shkaktuar shqetësim dhe konfuzion në opinionin malazez.

“Një nismë e tillë lë një shije të hidhur në opinion dhe shkakton shqetësime dhe huti, duke na përkujtuar se si në hapësirën tonë ka parti dhe organizata që ende e kanë mendësinë e së kaluarës”, thotë zoti Çaushi.

Ai thotë se një ligj i tillë mund të kufizojë hapësirën për veprim civil që ndihmon në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Malit të Zi dhe të pengojë punën e mediave të pavarura.

Edhe analisti Haxhi Shabani vë në dukje se një ligj i tillë do të krijoj probleme në funksionimin e shoqërisë civile dhe të mediave.

“Mund të vihet në pikëpyetje funksionimi i disa shoqatave, të cilat kanë marrë fonde pikërishtë për mënyrën si funksionon demokracia. Këto shoqata kanë përcjellë fushatat zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve ku në një farë mënyre janë një mekanizëm i cili përcakton se sa plotësohen standardet ndërkombëtare në nivel të zgjedhjeve, por edhe në nivel të mediave sepse mediat në Malin e Zi kanë një hapësirë shumë të ngushtë dhe mediat e pavarura gjithmonë kanë qenë një pretendim më shumë se sa kanë funksionuar”, tha analisti Shabani.

Ndërkaq analisti Ismet Kallaba këtë nismë e sheh si pjesë të agjendës së partive pro-serbe dhe pro-ruse, me qëllim të ndikimit në politikën shtetërore të Malit të Zi.

"Në këtë kontekst këtë do ta lidhja edhe me përpjekjet tjera dhe nisma për ndryshimin për shtetësinë, konkretisht për miratimin e dyshtetësisë për qytetarët e Malit të Zi”, tha zoti Kallaba.

Analistët thonë se nevojitet mbrojtja e menjëhershme e veprimtarisë së lirë dhe të pavarur të shoqërisë civile në Mal të Zi dhe të parandalohet miratimi i ligjeve që do të kërcënonin vlerat demokratike.