Izraeli sulmon objektivat ushtarake të Iranit, Teherani thotë se dëmet ishin të kufizuara

Në orët e para të së shtunës konflikti në Lindjen e Mesme shënoi një përshkallëzim të ri. Izraeli sulmoi objektivat ushtarake në Iran me një seri sulmesh ajrore si kundërpërgjigje ndaj sulmit të me 180 raketa balistike që Republika Islamike lëshoi kundër Izraelit. më 1 tetor. Shtetet e Bashkuara si dhe vende të tjera kërkuar t'i jepet fund ciklit të përplasje, dhe një zyrtar i lartë amerikan tha se "ky duhet të jetë fundi i tij".

Your browser doesn’t support HTML5

Forcat ajrore izraelite sulmojnë objektivat ushtarake të Iranit

Ushtria izraelite tha se avionët e saj kishin në shënjestër qendrat iraniane për prodhimin e raketave me të cilat Teherani sulmoi Izraelin si dhe vendndodhjen e raketave tokë-ajër.

“Forcat e mbrojtjes së Izraelit e përmbushën misionin e tyre. Nëse regjimi në Iran gabon duke filluar një seri të re përshkallëzimi, ne jemi të detyruar të përgjigjemi”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Admirali Daniel Hagari.

Izraeli nuk dha ndonjë vlerësim të menjëhershëm të dëmeve.

Shpërthimet u dëgjuan edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. Republika Islamike tha se sulmet izraelite shkaktuan vetëm “dëme të kufizuara” dhe mediat shtetërore iraniane minimizuan rëndësinë e tyre. Duke iu referuar burimeve nga ushtria, televizioni iranian Al-Alam njoftoi se dy ushtarë ishin vrarë si pasojë e sulmeve.

Edhe banorët e Teheranit u shprehën indiferentë ndaj sulmit.

"Nuk kam frikë fare, sepse ishte një sulm i vogël. Janë ata që duhet të kenë frikë”, thotë Hannaneh Abniki, banore e Teheranit.

“Nëse me sulm Izraeli nënkupton këto të shtëna dhe fishekzjarre që nuk zgjuan askënd në Teheran, nëse kjo është fuqia e tyre, mjerë ata”, thotë Nourozi, një banor tjetër.

Rreth sulmit reaguan edhe banorët e Tel Avivit.

“Nuk duhet të frikësohemi nga asgjë. Kemi një ushtri të mirë që do t’i përgjigjet çdo sulmi që do të vijë më pas”, thotë Sagi Kawazm banor i Tel Avivit,

“Besoj se me sulmin izraelit do të marrë fund. Nuk do të vazhdojë; përgjigjia ishte proporcionale dhe gjërat do të ecin përpara”, thotë Yossi Yaish, një banor tjetër në Tel Aviv.

Pas sulmeve ajrore, Ministria e Jashtme iraniane lëshoi një deklaratë ku tha se Teherani ka të drejtë të vetëmbrohet nga aktet e huaja të agresionit.

“Irani e sulmoi Izraelin dy herë, duke sulmuar edhe vende që kërcënonin popullatën civile dhe po paguan një çmimin për këtë”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Hagari.

“Jemi të përqendruar në objektivat tona të luftës në Rripin e Gazës dhe Liban. Është Irani ai që po vazhdon të nxisë përshkallëzim më të gjerë rajonal”, shtoi ai.

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid kritikoi vendimin për të shmangur “objektivat strategjike dhe ekonomike” në sulm, ndërsa shtoi se Irani duhet të kishte paguar një çmim më të lartë.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan kundër hakmarrjes së mëtejshme, duke sinjalizuar se sulmet gjatë natës duhet t’i japin fund shkëmbimit të drejtpërdrejtë të zjarrit mes Izraelit dhe Iranit. Kryeministri britanik tha se “Irani nuk duhet të përgjigjet”.

Arabia Saudite ishte një nga vendet e shumta në rajon që dënoi sulmin, duke e quajtur atë shkelje të sovranitetit të Iranit dhe ligjeve ndërkombëtare.

Qendrat bërthamore dhe rafineritë e naftës shiheshin si objektiva të mundshme të kundërpërgjigjes së Izraelit ndaj sulmit të Iranit më 1 tetor, para se administrata e Presidentit Joe Biden të merrte garanci nga Izraeli në mes të muajit tetor se nuk do të godiste objektiva të tilla.

Një veprim i tillë do të shënonte një përshkallëzim më të rëndë në Lindjen e Mesme.

Armiqësitë mes Izraelit dhe Iranit e kanë zanafillën që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Izraeli e konsideron Iranin si kërcënimin e tij më të madh, duke vënë theksin tek thirrjet e udhëheqësve të tij për shkatërrimin e Izraelit, mbështetjen e tyre për grupet militante anti-izraelite dhe programin bërthamor të Teheranit.