Izraeli sulmoi Iranin në një seri goditjesh ajrore që synonin infrastrukturën ushtarake

Pamje të Teheranit në agimin e 26 tetorit 2024

Izraeli sulmoi Iranin me një seri goditjesh ajrore para agimit të së shtunës, në atë që ai tha se ishte një përgjigje ndaj breshërisë së raketave balistike që Republika Islamike hodhi mbi Izraelin në fillim të muajit tetor.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj vunë në shënjestër objektet që Irani përdori për të prodhuar raketat e hedhura në Izrael, si dhe vendndodhjet e raketave tokë-ajër. Izraeli nuk ofroi asnjë vlerësim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Shpërthimet u dëgjuan në kryeqytetin iranian, Teheran, megjithëse Republika Islamike këmbënguli se ato shkaktuan vetëm "dëme të kufizuara" dhe media shtetërore iraniane i minimizoi sulmet.

Lexoni edhe këtë Izraeli godet Iranin në shenjë hakmarrjeje për sulmin me raketa balistike

Megjithatë, sulmet rrezikojnë t'i shtyjnë armiqtë më afër luftës së përgjithshme në një kohë të dhunës gjithandej Lindjes së Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, duke përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin.

"Irani e sulmoi Izraelin dy herë, duke përfshirë sulemt në zona ku rrezikoheshin civilët dhe ka paguar çmimin për këtë", tha zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari në një video deklaratë.

“Ne jemi të përqendruar në objektivat tona të luftës në Rripin e Gazës dhe në Liban. Është Irani ai që vazhdon të nxis një përshkallëzim më të gjerë rajonal”.

Fotografitë dhe videot e publikuara nga Izraeli shfaqën kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, duke u takuar me këshilltarët ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë në një dhomë konferencash në një qendër komandimi dhe kontrolli ushtarak në bazën ushtarake Kirya në Tel Aviv.

Sulmet e para agimit të së shtunës, shënuan herën e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk është përballur me një breshëri të vazhdueshme zjarri nga një armik i huaj që nga lufta e tij e viteve 1980 me Irakun.

Sulmet ishin pjesë e "detyrës së Izraelit për t'iu përgjigjur" sulmeve nga "Irani dhe zgjatimet e tij në rajon", tha zëdhënësi Hagari.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e përmbushën misionin e tyre”, tha ai. “Nëse regjimi në Iran do të bëjë gabimin duke filluar një raund të ri përshkallëzimi, ne do të jemi të detyruar të përgjigjemi”.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan kundër hakmarrjes së mëtejshme, duke treguar se sulmet e natës duhet t'i japin fund shkëmbimit të drejtpërdrejtë të zjarrit midis Izraelit dhe Iranit.

Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si objektiva të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të tetorit administrata e Presidentit amerikan Joe Biden njoftoi se besonte që kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla, çka do të përbënte edhe një përshkallëzim më të rëndë të situatës.

Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran, por pa dhënë hollësi.

Mediat shtetërore të Iranit raportuan për shpërthimet që mund të dëgjoheshin në Teheran dhe thanë se disa nga zhurmat vinin nga sistemet e mbrojtjes ajrore rreth qytetit. Por, përtej një referimi të shkurtër, televizioni shtetëror iranian për orë të tëra nuk ofroi hollësi të tjera.

Veprimi i Iranit për të minimizuar shpejt sulmin, mund të ofrojë një rrugë që ai të mos kundërpërgjigjet, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Irani lëshoi një valë raketash dhe dronësh drejt Izraelit në muajin prill pasi dy gjeneralë iranianë u vranë në një sulm ajror izraelit në Siri, në një objekt diplomatik iranian. Raketat dhe dronët shkaktuan dëme minimale dhe Izraeli, nën trysninë e vendeve perëndimore për të treguar përmbajtje, u përgjigj me një sulm të kufizuar që nuk e pretendoi haptazi.

Dhjetëra u vranë dhe mijëra u plagosën në shtator, kur pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu shpërthyen në dy ditë sulmesh që i atribuohen Izraelit. Një sulm masiv ajror izraelit një javë më pas në periferi të Bejrutit vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe disa nga komandantët e tij të lartë.

Më 1 tetor, Irani hodhi të paktën 180 raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje, duke i detyruar izraelitët të futeshin nëpër strehimore, por duke shkaktuar vetëm dëme minimale dhe disa të plagosur.

Kryeministri Metanyahu tha menjëherë se Irani kishte “bërë një gabim të madh”.

Izraeli më pas rriti trysninë ndaj Hezbollahut duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor. Më shumë se një milion libanezë janë zhvendosur dhe numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm pasi sulmet ajrore goditën në dhe rreth Bejrutit.

Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Izraeli e konsideron Iranin si kërcënimin më të madh, duke përmendur thirrjet e udhëheqësve iranianë për shkatërrimin e Izraelit, mbështetjen për grupet militante anti-izraelite dhe programin bërthamor të vendit.

Armiqësia u thellua që nga 7 tetori i vitit 2023, kur Hamasi dhe militantë të tjerë sulmuan Izraelin. Ata vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe morën rreth 250 pengje në Gaza. Si përgjigje, Izraeli nisi një ofensivë shkatërruese ajrore dhe tokësore kundër Hamasit dhe kryeministri Netanyahu është zotuar të vazhdojë të luftojë derisa të lirohen të gjithë pengjet. Rreth 100 pengje mbeten ende në duart e militantëve dhe afërsisht një e treta prej tyre besohet të jenë të vdekur.

Më shumë se 42,000 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, të cilët nuk bëjnë dallime midis civilëve dhe luftëtarëve, por thonë se më shumë se gjysma janë gra dhe fëmijë.