Një histori e shkurtër e kandidatit republikan për nënpresident, JD Vance

  • Carolyn Pressuti

JD Vance

Jeta e kandidatit republikan për nënpresident, JD Vance, është një histori tipike e "një djali të suksesshëm të një qyteti të vogël". Ai u rrit në rajonin e Apalashes, mbaroi studimet në një nga universitetet më të mira në vend dhe mund të bëhet një nga nënpresidentët më të rinj në histori.

Nuk është qyteti ku ai lindi, por JD Vance e konsideron qytetin Xhekson në Kentaki, si vendlindjen e tij.

"Kur i kërkova bashkëshortes të martoheshim, i thashë, 'Zemër, kam 120 mijë dollarë borxh nga studimet dhe një parcelë varrezash në një shpat mali në Kentakin Lindor", tha ai.

Në fëmijëri ai jetoi me gjyshen e tij.

"Ai gjithmonë vinte këtu me gjyshen. Ajo e solli këtu për të parë se si ishte jeta në këto zona malore dhe me sa duket atij i pëlqente kjo”, thotë sherifi i qarkut Brithit në Kentaki, John Hollan.

Ai ka lindur në Midëlltaun të Ohajos dhe në fëmijëri ka jetuar kryesisht me gjyshen e tij të rreptë, e cila shante shumë dhe mbante 19 pistoleta në shtëpi.

Fillimisht ai mbante mbiemrin e njerkut të tij, Hamel. Zgjedhjet e para që fitoi, për ironi, ishin ato për postin e nënpresidentit të këshillit të nxënësve në shkollën e mesme të Midëlltaunit. Ai shërbeu me marinsat dhe më pas u diplomua nga Universiteti Shtetëror i Ohajos.

Lexoni edhe këtë A mund të bëjë për vete votuesit ruralë kandidati demokrat për nënpresident, Tim Walz?

Më pas vazhdoi studimet në fakultetin juridik të Universitetit Yale, ku takoi bashkëshorten e tij Usha Chilukuri. Miku i tij i shkollës, James Eimers, i njihte të dy.

"Mendoj se ajo ishte në gjendje ta ndihmonte për planet që JD kishte për të ardhmen e tij pas mbarimit të studimeve në fakultetin juridik”, thotë ai.

JD Vance u bë i njohur në nivel kombëtar përmes librit të tij të vitit 2016, që më pas u bë film, "HillbillyElegy", për klasën punëtore të Amerikës.

Me mbështetjen e ish-presidentit Donald Trump, JD Vance, djali nga Ohajo, të cilit i pëlqen Kentaki, u zgjodh në postin e senatorit të Ohajos. Dhe dy vjet më vonë, zoti Trump e zgjodhi senatorin Vance si kandidat për nënpresident. Por ai pati një fillim të vështirë, pasi në të kaluarën e ka quajtur zotin Trump "të pandershëm" dhe ka thënë se "kurrë nuk do ta mbështeste atë".

Tani, politikat e tij pasqyrojnë ato të zotit Trump. Dhe, kur u pyet nëse ish-presidenti i kishte "humbur zgjedhjet e vitit 2020", ai u përgjigj:

"Jo, mendoj se kishte probleme serioze me zgjedhjet e vitit 2020. Pra, unë do të thosha se ai nuk i ka humbur ato", tha ai.

Zoti Vance është i ashpër ndaj Kinës dhe Azisë Lindore, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka një qëndrim të ashpër për konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Kamala Harris thotë se ajo është e shqetësuar për viktimat në mesin e civilëve, por ajo refuzon t'i japë Izraelit armët që e lejojnë ushtrinë e tij të minimizojnë viktimat civile", tha ai.

Në Midëlltaun, vendlindjen e zotit Vance, shumica e banorëve mbështesin zotin Trump. JD Vance u punësua për herë të parë në moshën 16 vjeçare nga Steve Dillman, pronar i dyqanit “Dillman Foods”.

"Jam shumë krenar për atë që ai ka arritur. Ai është rritur në Rrugën McKinley dhe tani mund të bëhet nënpresident i Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.

Nëse zgjidhet, JD Vance në moshën 40 vjeçare, do të bëhej nënpresidenti i tretë më i ri i Amerikës.