A mund të bëjë për vete votuesit ruralë kandidati demokrat për nënpresident, Tim Walz?

Tim Walz

Tim Walz shërbeu për dy mandate si guvernator i Minesotës përpara se të përzgjidhej si kandidati demokrat për nënpresident. Në aktivitetet elektorale, ai përmend fillimet e tij në Nebraska dhe se si kjo ndikoi tek formimi i tij si person, si kandidat në zgjedhje dhe si guvernator. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, vizitoi shtetin Nebraska për të parë nga afër se çfarë mendojnë banorët e tij për zotin Walz.

Kandidati demokrat për nënpresident, Tim Walz e kaloi gjysmën e parë të jetës së tij në një pjesë rurale të Nebraskës… rreth pesë orë me makinë nga aeroporti kryesor më i afërt. Këtu, tiparet më të spikatura të peizazhit janë shpesh depot e grurit. Disa njerëz këtu shohin një pjesë të vetes tek kandidati për nënpresident.

Kur e shoh në televizion, nuk duket si një politikan. Më ngjason me mësuesin tim të preferuar në shkollë, sepse ai i është përkushtuar vërtet komunitetit të tij dhe nxënësve të tij. Dhe ai me të vërtetë ka vlera të larta morale”, thotë fermerja Becky Potmesil.

Zoti Walz lindi në West Point, Nebraska dhe e kaloi fëmijërinë e tij në Valentine, me një popullsi prej 2,600 banorësh... një qytet jo i njohur për personalitete politike.

"E kemi ndjekur karrierën e Timit, ndoshta disi në distancë. Këtë hap (kandidimi për nënpresident)... nuk e mendonim se do të ndodhte!”, thotë Tom Elliot, banor në Valentine.

Kur zoti Walz ishte adoleshent, diagnostikimi i babait të tij me kancer në mushkëri e shtyu familjen të lëvizte 160 kilometra më në veri, ku kishin të afërm të tjerë.

Unë u rrita në Butte, Nebraska, një qytezë me 400 banorë. Në shkollën e mesme, ishim në klasë 24 nxënës”, thotë zoti Walz.

Lexoni edhe këtë Profili i kandidatit demokrat për nënpresident, Tim Walz

Të afërmit e zotit Walz ende jetojnë në këtë zonë. Daja i tij, fermeri në pension Jerome Reiman thotë se ka në plan të votojë për nipin e tij, por shton se është pak i shqetësuar se djali i qytetit të vogël që ai mban mend, mund të jetë tepër i sjellshëm për t'u përballur me sfidat e botës së madhe.

Ai ishte thjesht një djalosh i zakonshëm. Dua të them që ishte një djalë i mirë. I pëlqenin sportet. Timi nuk do të jetë i ashpër mjaftueshëm për Putinin; kjo më shqetëson”, thotë zoti Reiman.

I rritur në zona rurale, zoti Walz u apasionua pas peshkimit dhe gjuetisë, dhe nuk fsheh dashurinë e tij për armët. Simbolika e kapeles së tij me kamuflazh u përqafua nga një grup aktivistësh për demokratët e zonave rurale.

"Mendoj se rrobat e kamuflazhit, gjuetia, përfaqësojnë Nebraskën", thotë aktivistja demokrate Barbara Critchett.

Në gjurmët e babait të tij, një veteran i Luftës së Koresë, zoti Walz hyri në Gardën Kombëtare në moshën 17-vjeçare dhe e vazhdoi shërbimin për 24 vite.

Por për disa votues ruralë, shërbimi ushtarak dhe historiku i pronësisë së armëve nuk do të thotë se zoti Walz ndan të njëjtat vlera me ta.

Jo, as nuk i afrohet. Gënjen haptazi // Kjo është një e drejtë e garantuar me amendamentin e dytë të kushtetutës -- unë nuk kërkoj t'ia heq atij armën, sikurse po përpiqen të veprojnë me ne!", thotë Stephen Hale, banor në Valentine.

Zoti Walz gjithashtu mbështet të drejtën e abortit, gjë që e vë atë në kundërshti me shumë banorë në Nebraskën konservatore, ku disa kisha kanë përmendore për foshnjet e abortuara dhe peizazhi është i mbushur me shenja kundër abortit.

"Çështja më e rëndësishme për mua ka qenë gjithmonë mbrojtja e jetës. Kushdo që është pro jetës do të marrë votën time. Ai nuk do ta marrë votën time", thotë Michael Wartmen, banor në West Point.

Zoti Walz u diplomua në Kolegjin Shtetëror Chadron, në një qytet ku ish-Presidenti Donald Trump duket se është popullor. Administratës së kolegjit kohët e fundit iu desh të hiqte flamurin e tij të fushatës pasi dikush e ngriti atë pranë flamurit amerikan në kampus.

Miles Bannan nga Chadron thotë se rrënjët lokale të Tim Walzit nuk përkthehen domosdoshmërisht në mbështetje.

Ka shumë familje që nuk flasin shumë për politikën, sepse ka shumë mosmarrëveshje. Dhe mendoj se ka shumë njerëz që inkurajohen prej tij, por kjo mund të mos ndryshojë mënyrën se si ata votojnë”, thotë Miles Bannan, banor në Chadron.

Disa këtu thonë se zoti Walz po i jep kështu një moment njohjeje kombëtare Nebraskës rurale. Por në këtë shtet konservator amerikan, rrënjët e përbashkëta nuk janë garanci për vota.