Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha sot se ekziston një nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje diplomatike që do t’i jepte fund konfliktit në Liban ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, që mbështetet nga Irani, duke bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai i bëri këto komente ndërkohë që një sulm izraelit në Gazë shkaktoi vdekjen e 38 personave dhe një tjetër në jug të Libanit vrau tre gazetarë të mediave që konsiderohen të afërta me Hezbollahun.
Pas përpjekjeve këtë javë për të çuar përpara negociatat për armëpushim në Gazë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken takoi të premten në Londër udhëheqësit e vendeve arabe, duke bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë diplomatike që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
“Është shumë e rëndësishme që të shkojmë drejt një zgjidhjeje diplomatike, të sigurojmë përkrahjen e duhur për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701. Dhe sa më shpejt që e bëjmë një gjë të tillë, aq më shpejt do të arrijmë tek një zgjidhje. Ndërkohë duam të shohim përpjekje serioze për t’i mbrojtur civilët”, deklaroi Sekretari Blinken.
Tridhjetë e tetë persona u vranë në një sulm izraelit në Khan Younis, ku ditët e fundit njerëzit kanë pritur në radhë për bukë para furrës së vetme të bukës në këtë qytet që ende punon, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë. Një sulm tjetër izraelit në pjesën jugore të Libanit të premten vrau tre gazetarë, të cilët punonin për media që konsideroheshin të afërta me Hezbollahun.
Ushtria izraelite nuk kishte paralajmëruar banorët para sulmit.
Gjatë takimit dypalësh, Ministri i jashtëm i Jordanisë Ayman Safadi i tha Sekretarit Blinken se Izraeli po zhvillon një fushatë spastrimi etnik në pjesën veriore të Gazës.
“Situata humanitare është shumë e rëndë. Po ndjekim situatën në pjesën veriore të Gazës, ku tani po shohim se po ndodh një spastrim etnik, i cili duhet të ndërpritet. Në Liban, qeveria e Libanit është e qartë tani. Ajo dëshiron zbatimin e Rezolutës 1701; kjo rezolutë duhet të zbatohet dhe të shpëtojë qindra mijëra jetë”, tha ai.
Javët e fundit, ushtria izraelite ka intensifikuar fushatën ushtarake dhe ka vendosur nën shtetrrethim disa pjesë në veri të Gazës, përfshirë spitalet e vendstrehimet e refugjatëve dhe ka urdhëruar banorët e kësaj pjese të zhvendosen drejt pjesës jugore të këtij territori, sipas mjekëve dhe banorëve në këtë zonë.
Operacioni, sipas zyrtarëve izraelitë, ka për synim të parandalojë konsolidimin e militantëve të Hamasit dhe ai është intensifikuar që pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Jahja Sinuar megjithë thirrjet e vazhdueshme të vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës.
Diskutimet në Londër po mbahen ndërkohë që komandanti i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi deklaroi të enjten se shpresonte që lufta e Izraelit ndaj Hezbollahut të përfundonte së shpejti.
“Në veri, ekziston një mundësi për një përfundim të shpejtë. E kemi zhbërë plotësisht zinxhirin e lartë komandues të Hezbollahut”, tha ai.
Ndërkohë, zyrtarët egjiptianë të sigurisë takuan një delegacion të Hamasit në Kajro në kuadër të përpjekjeve për t’i rinisur negociatat, sipas njoftimeve të mediave egjiptiane.
Ofensiva e Izraelit në Gazë, e nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor që ka 1,200 persona të vrarë dhe 250 pengje, ka shkaktuar vdekjen e mbi 42,000 palestinezëve, ndërsa luftimet me Hezbollahun në Liban gjatë vitit të fundit kanë lënë mbi 2,500 të vrarë dhe 12 mijë të plagosur.