Roli i sindikatave të punëtorëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA 

Në të gjithë vendin, rreth 14 milionë votues janë anëtarë të sindikatave, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Ndonëse anëtarët e këtyre sindikatave përbëjnë një pjesë të vogël të elektoratit amerikan, kandidatët presidencialë bëjnë përpjekje të mëdha për të siguruar mbështetjen e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson nga Nevada, sindikatat kanë një zë të fuqishëm në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në këtë shtet.

Your browser doesn’t support HTML5

Roli i sindikatave të punëtorëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA 

Në një tubim elektoral të Nënpresidentes Kamala Harris kishte një entuziazëm të madh mes anëtarëve të sindikatave për planin e saj për të mos taksuar të ardhurat që sigurojnë nga bakshishet punonjësit e sektorit të shërbimeve.

“Nënpresidentja Kamala Harris ka një plan të qartë për t'i dhënë fund taksave federale ndaj bakshisheve për ne punonjësit e shërbimit këtu në Nevada. Pretendimi i Donald Trumpit se ai është shpëtimtari i punëtorëve, për të cilët bakshishet janë pjesë e rëndësishme e të ardhurave, është një gënjeshtër e rrezikshme”, thotë Kanie Kastroll, përfaqësuese i sindikatës së punëtorëve të kazinove në Nevada.

Kandidati republikan për president Donald Trump ka vizituar gjithashtu këtë shtet, që mbështetet në industrinë e shërbimeve për të reklamuar planin e tij për të mos taksuar bakshishet për punonjësit e kazinove, kamerierët dhe pastruesit.

“Kjo do të pëlqehet nga të gjithë punonjësit, veçanërisht ata që nuk marrin rrogë, por si të ardhura kanë bakshishet”, thotë Didi Lima, mbështetëse e zotit Trump në Nevada.

Ish-Presidenti Trump ka marrë mbështetjen e Departamentit të Policisë në Las Vegas.

“Shumica e qytetarëve tanë u besojnë forcave të zbatimit të ligjit. Kështu që nëse themi 'ne besojmë se ky person na mbështet, do të rrisë sigurinë dhe ekonominë tonë', njerëzit do t’u besojnë këtyre gjërave që ne i themi”, thotë Steve Grammas, president i Shoqatës Mbrojtëse e Policisë së Las Vegasit.

Zoti Grammas ka folur për mbështetjen e ish-Presidentit Trump për forcat e zbatimit të ligjit në shumë tubime elektorale.

"Donald Trump dhe fushata e tij na ka mbështetur, duke thënë: "Jo, nuk do të përkulen para ndryshimeve të trysnisë së politikës së çastit", thotë ai.

Mbështetja e dhjetëra mijëra anëtarëve të sindikatave në Nevada kërkohet me ngulm nga kandidatët presidencialë.

Edhe nënpresidentja Harris mori mbështetjen e sindikatës lokale “Teamsters”, por sindikata kombëtare e shoferëve të kamionave të transportit të mallrave dhe punëtorëve të qendrave të magazinimit nuk pranoi të mbështeste asnjërin nga kandidatët presidencialë.

Disa votues këtu në Nevada e shohin këtë si një shenjë të rëndësishme.

“Sindikata Teamster gjithmonë ka mbështetur demokratët. Nëse ata nuk po e bëjnë këtë tani, kjo do të thotë se ata mund të kenë prirje për të mbështetur zotin Trump”, thotë Edward Kammer, mbështetës i zotit Trump në Nevada.

Por Sindikata e Punëtorëve të Kuzhinës në Las Vegas mbështeti demokraten Harris.

“Votuesit e klasës punëtore janë të zgjuar, nuk janë memecë dhe janë pak skeptikë. Problemi me ish-Presidentin Trump është se ai gënjen shumë. Për Nënpresidenten Harris, kjo është pjesë e një programi të përgjithshëm për të zgjidhur problemin e kostos së lartë të jetesës”, thotë Ted Pappageorge nga Sindikata e Punëtorëve të Kuzhinës në Las Vegas.

Ata tani po njoftojnë votuesit për vendimin e tyre.

“Korporatat e mëdha po rrisin çmimet për ushqimin, karburantin dhe qeranë. Pra, flasim me votuesit për kandidatin e duhur, duke u dhënë atyre informacionin e saktë. Ne ofrojmë faktet, përfshirë atë se Kamala do të mbështesë klasën e mesme dhe anëtarët e sindikatave”, thotë Claudia Monreal nga Sindikata e Punëtorëve të Kuzhinës.

Vota e anëtarëve të sindikatve në Nevada, njëri nga shtatë shtetet e pavendosura, mund të jetë vendimtare në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.